Botë
COVID 19, rriten shifrat në botë, Kina teston vaksinën
17.08.2020 12:44
Në SHBA në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 1.095 persona duke e rritur në 172.630 numrin e viktimave që nga fillimi i pandemisë....

Edhe numri i të infektuarve është rritur me 56.004, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 5.532.270. Në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar mbi 2.904.000 të infektuar ndërsa numri i personave të testuar ka arritur në mbi 70.246.000. E megjithë shifrat e larta, njerëzit vazhdojnë të mos respektojnë masat. Këtë fundjavë plazhet në Kaliforni ishin mbushur plot pushues që kërkonin t’i shpëtonin temperaturave ekstremisht të larta.
Edhe Brazili regjistroi 620 vdekje në 24 orët e fundit, që e cojnë numrin e vdekjeve në 107 852 në total. Numri i rasteve të konfirmuara u rrit në mbi 3.34 milionë me rreth 23.101 pacientë të rinj. Mbi 2.43 milionë njerëz janë shëruar nga virusi në Brazil, ndryshe i njohur si epiqendra e shpërthimit në Amerikën Latine. E treta në botë radhitet India me 2.600.164 raste.
Kina ndërkohë dha aprovimin e parë për një vaksinë kandidate kundër Covid-19.Vaksina Ad5-nCoV e zhvilluar nga grupi Tianjin CanSino Biologics bashkë me Institutin e Bioteknologjisë dhe Akademinë e Shkencave Mjekësore Ushtarake kineze, ka marrë dakordësinë për t’u thelluar në mundësinë e prodhimit në masë të vaksinës, brenda një kohe të shpejtë. Kina është vendi prej nga nisi pandemia e koronavirusit, për t’u përhapur më tej në të gjithë botën. Javën e kaluar ishte Rusia ajo që njoftoi vaksinën e parë kundër Covid-19.
