Marrëveshja LSDM-BDI, ASH-AAA:Qeveri mashtruese dhe jolegjitime
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vlerëson se marrëveshja e arritur...

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vlerëson se marrëveshja e arritur mes LSDM-së dhe BDI-së është marrëveshje për një qeveri mashtruese dhe jolegjitime.
“Së pari, ka mashtruar BDI-ja, e cila sot e ka shkelur me të dyja këmbët premtimin e vetëm parazgjedhor për kryeministër shqiptar dhe, së dyti, ka mashtruar LDSM-ja, e cila para zgjedhjeve thoshte se “në asnjë mënyrë nuk do të bëjë koalicion me BDI-në”. Prandaj për koalicionin tonë kjo qeveri nuk meriton asnjë respekt politik dhe, si e tillë, do të ketë përballë 12 deputetë dhe një popull që nuk do ta lejojë mashtrimin dhe uzurpimin e vullnetit politik” – thuhet në reagimin e ASH-së dhe Alternativës.
ASH-Alternativa paralajmëruan bojkot
Ata shtojnë se do të jenë ofensivë që, me të gjitha mjetet demokratike, ta kthejnë demokracinë, ta ndalin manipulimin me vullnetin politik dhe ta ndalojnë mashtrimin që si ves i rri mbi kokë një vendi aspirant për Bashkimin Evropian.
Nuk dihet nëse koalicioni do të bojkotojë kuvendin, ide e hedhur kjo nga sekretari i përgjithshëm i Alternativës që u mbështet edhe nga sekretari gjeneral i ASH-së.
Ahmeti: Bojkoti nuk është zgjidhje në demokraci
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se bojktoi nuk është zgjidhje në demokraci.
“Shumë përpara nesh ideologë, demokratë, i kanë hartuar ca postulate që në demokraci mund të debatosh, në demokraci mund të mos pajtohesh, por nuk është demokraci të sabotosh apo të bojkotosh. Nuk është zgjidhje në demokraci bojkoti.” – tha Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Për të mërkurën është paralajmëruar një pres konferencë e dy liderëve, Sela e Gashi para parlamentit. (Flutura Latifi, TVM2)
