Maqedoni

Orav: 664.2 milionë euro në dispozicion të Maqedonisë

30.10.2014 16:14

Bashkimi Evropian vazhdon ta mbështesë zhvillimin institucional infrastrukturor dhe socio-ekonomik të vendit edhe në 7 vitet e ardhshme...

Sekretariati për Çështje Evropiane dhe Ambasada e BE-së në Shkup, promovuan akordimin për shfrytëzimin e mjeteve nga fondet- IPA për ciklin e dytë, që kap vlerën prej 664,5 milionë euro.
 
Sipas dokumentit strategjik nacional, mjetet parashikohen të shfrytëzohen për realizimin e aktiviteteve konkrete në fusha të caktuara, ndërsa kanë për qëllim ta afrojnë vendin drejt integrimit evropian.
 
“Është jashtëzakonisht i rëndësishëm një mesazh i një partneriteti të fuqishëm ndërmjet Maqedonisë dhe BE-së, një interesim i vazhdueshëm i BE-së për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor dhe RM-në. Një argument i tillë është vet fakti që vazhdon cikli i dytë i kornizës së përkrahjes me fonde paraqasëse evropiane 2014-2020, me një vlerë të përgjithshme prej 664,5 milionë euro, që është më e madhe krahasuar me kornizën e parë IPA 2007-2013, në vlerë prej 614 milionë euro. Gjithashtu, këtyre 664,5 milionë eurove ju shtohet edhe bashkëpunimi rajonal ndërkufitar, që deri më tani është financuar në kuadër të IPA-s, do të financohen me fonde shtesë nga BE”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
 
“Shumë është me rëndësi të ketë qartësi të mjaftueshme, sepse taksapaguesit tanë, Lituania, Portugalia, Franca dhe të tjerët, do të duhej të jenë të kënaqur, se këto mjete janë shpenzuar në vendin e duhur dhe se vendi do të jetë më afër BE-së. Për këtë qëllim jam i gatshëm të punoj me qeverinë, opozitën, komunat dhe shoqërinë civile, me qëllim që këto projekte të kenë sukses”- tha ambasadori i BE-së në RM, Avio Orav.
 
Sa u përket mjeteve të shfrytëzuara nga cikli i parë, Besimi tha se vitin e kaluar kjo shifër ka arritur në 37.3 %, ndërsa janë nënshkruar  marrëveshje financiare në vlerë prej 565.9 milionë euro, ndërsa janë kontraktuar 829 projekte në vlerë prej 249.6 milionë euro dhe janë në fazë të implementimit.
 
Ndërkaq, në kuadër të promovimit të ciklit të dytë të IPA-fondeve, Besimi dhe Orav nënshkruan edhe marrëveshjen për bashkëpunim rajonal midis Maqedonisë dhe Greqisë.
 
Me këtë marrëveshje, e cila është e fundit nga programi IPA-2007-2013, janë përfshirë gjithsej 50 projekte sa i përket bashkëpunimit ekonomik, mjedisit jetësor, turizmit dhe shkëmbimit kulturor.
 
NAIM RAMADANI