Maqedoni

Transporti drejt kryeqendrës, problem për Haraçinasit

30.10.2014 16:28

Banorët e Haraçinës, e sidomos nxënësit e shkollave të mesme të kësaj komune, të cilët ndjekin mësimin në shkollat e kryeqendrës, e kanë të vështirë të arrijnë në kohë në destinacionin e duhur...

 Për shkak të numrit të vogël të autobusëve që qarkullojnë në këtë relacion dhe numrit të madh të udhëtarëve, në shumë raste të gjithë udhëtarët nuk mund të hipin në një autobus. 
 
Kryetari i Haraçinës, Brahim Ajvazi, ka alarmuar për këtë problem te Ndërmarrja Publike Transportuese, por edhe te kompanitë private të transportit dhe Qyteti i Shkupit. Ajvazi kërkon që Ndërmarrja Publike Transportuese të rrisë numrin e autobusëve, ndërsa autobusët privat të respektojnë orarin dhe të sigurohet transport i mjaftueshëm për banorët.   
 
“Duke e ditur problematikën e vërtetë, sidomos për nxënësit që udhëtojnë në qytet, që janë në shkollë të mesme, kanë problem me udhëtimin, kështu që ne disa takime kemi caktuar me drejtorin e ndërmarrjes dhe kemi bërë edhe kërkesë, duke i përcjellë edhe relacionet edhe orarin e autobusëve privat, të cilët nuk i përmbahen orarit, sa që unë kam kërkuar edhe te Inspektorati i Qytetit që këta të tërhiqen, me një fjalë në qoftë se si përmbahen rregullës edhe ata të caktojnë një takim me këto kompani, d.m.th. isha i ftuar edhe unë dhe kjo ngeli që shumë shpejt të zgjidhet, mendoj se brenda kohës, por ne do të insistojmë që ky problem të zgjidhet dhe më lajmëruan që të bëhet edhe një kërkesë te kryetari i Qytetit, Koce Trajanovski, unë bëra kërkesë, por në të njëjtës kërkesë kam thënë se nëse nuk i përmbahen orarit, të tërhiqen. Mirëpo kemi informata se dje ata kanë pasur një takim, kështu që pritet prej të hënën dhe mendoj se ky problem duhet të zgjidhet”- deklaroi kryetari i Komunës së Haraçinës, Ibrahim Ajvazi. Ajvazi, nuk përjashton edhe protestën e banorëve, nëse ky problem së shpejti nuk gjen zgjidhje. 
 
Ndërsa nga Ndërmarrja Publike Transportuese e Qytetit të Shkupit nuk e shohin të arsyeshme të prononcohen për TVM-2 rreth kësaj kërkese të Komunës së Haraçinës.
 
GYLTENE SINANI