Botë

BE, presion Bjellorusisë, opozita kërkon ndihmë, Rusia: Mos ndërhyni

19.08.2020 18:49

Liderët e Bashkimit Europian shprehën mbështetjen për protestuesit në Bjellorusi...

Liderët e Bashkimit Europian shprehën mbështetjen për protestuesit në Bjellorusi. Ata theksuan shqetësimin për zgjedhjet e diskutueshme presidenciale dhe shtuan trysninë ndaj zyrtarëve të lidhur me shtypjen e manifestimeve në vend. Bashkimi Europian beson se rezultati i zgjedhjeve të 9 gushtit, i cili i dha Aleksandër Lukashenkos mandatin e 6 në krye të vendit, është manipuluar. Blloku, i cili po zhvillon një samit virtual lidhur me çështjen, po përgatit një listë zyrtarësh që mund të sanksionohet për rolin e tyre në trazira. 
 
“Mesazhi ynë është i qartë. Dhuna duhet të ndalet dhe duhet të nisin menjëherë bisedimet paqësore dhe gjithëpërfshirëse. Lidershipi i Bjellorusisë duhet të reflektojë mbi vullnetin e popullit”, u shpreh Charles Michel.
 
Pak para nisjes së takimit virtual, opozitarja Sviatlana Tsikhanouskaya e cila sfidoi Aleksandër Lukashenkon në zgjedhje, u kërkoi krerëve të unionit të mos i njohin rezultatet e atyre që i quajti zgjedhje të manipuluara dhe të respektojnë vendimin e popullit të Bjellorusisë. Ajo kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja nën supervizimin e ndërkombëtarëve. Protesta masive po zhvillohen prej disa ditësh kundër presidentit Lukashenko, por ky i fundit refuzon të japë dorëheqjen dhe akuzon fuqi të huaja për situatën në vend.
 
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është ofruar të ndihmojë ushtarakisht Bjellorusinë nëse do të jetë e nevojshme dhe gjatë një bisede telefonike me Merkel dhe Macron, i paralajmëroi ata të mos përzihen në punët e Minskut, aleat i ngushtë i Moskës.