Botë

Rriten rastet me Covid-19, Europa në alarm, rikthehen testet dhe karantina

20.08.2020 13:07

Rritja e frikshme e rasteve të reja me koronavirus në shumë vende të Bashkimit Evropian...

Rritja e frikshme e rasteve të reja me koronavirus në shumë vende të Bashkimit Evropian, rritën ankthin dhe pasigurinë se vjeshta do të godasë më rëndë vendet e Unionit. Franca raporton 3776 të infektuar të rinj në 24 orët e fundit,  shifër kjo që nuk ishte përsëritur që nga lehtësimi i masave të izolimit. 17 persona humbën jetën duke e çuar bilancin total të fataliteteve në 30.468.
 
Spanja shënoi gjithashtu një numër të lartë të personave të infektuar brenda 24 orëve. 3715 persona të tjerë janë prekur nga Sars CoV-2 një bilanc ky që nuk raportohej prej fundit të majit. 
 
Gjermania ka regjistruar gjatë 24 orëve të fundit 1 707 raste të reja me COVID-19 dhe 10 të vdekur, duke arritur në nivelet e fundit të prillit, një periudhë që u konsiderua në atë kohë si piku i pandemisë. Kjo situatë ka bërë që qeveria të deklarojë praktikisht të gjithë Spanjën dhe një pjesë të Ballkanit, që frekuentohen nga pushuesit gjermanë, si zona rreziku dhe të vendosë testime dhe karantinë në kthim.
 
Europa, që kishte marrë masa drastike për të përmirësuar përhapjen e pandemisë gjatë dimrit dhe pranverës, është gjithashtu e shqetësuar për një rikthim të ri ndërsa pushimet verore po përfundojnë.
 
Në botë, kufizimet janë shtuar përballë progresit të epidemisë që ka shkaktuar më shumë se 780 000 të vdekur. Vaksina e ardhshme do të jetë e detyrueshme në Australi, por jo në SHBA. Ky vend mbetet më i prekuri i planetit dhe ka regjistruar 172 965 të vdekur, rreth 1 286 më shumë gjatë 24 orëve të fundit.