U helmua kritiku i Kremlinit, Aleksej Navalni, përfundoi në spital

20.08.2020 17:37

Lideri opozitar rus, 44 vjeçari, Aleksej Navalni...

Lideri opozitar rus, 44 vjeçari, Aleksej Navalni, është sëmurë teksa ka qenë në një udhëtim me aeroplan, andaj fluturimi është ndalur në mënyrë emergjente në qytetin siberian, Omsk.

Navalnit situata i është përkeqësuar gjatë një fluturimi nga Sibiri drejt Moskës dhe është hospitalizuar menjëherë dhe është trajtuar për helmim, trajtim intensiv dhe me frymëmarrje artificiale, mjekët thonë se po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar nga rreziku.

“Terapia intensive e pacientit është duke vazhduar, jemi duke kryer dhjetëra teste të gjakut, për punën  e trurit,  si dhe të organeve të tjera në organizëm. Mjekët me të vërtetë po punojnë në mënyrë intensive për ta shpëtuar jetën  e tij.”,- tha mjeku, Anatolij  Kliniçenko.

Zëdhënësja e liderit opozitar rus u ka thënë mediave se Navalni ka pirë vetëm një gotë me çaj në aeroportin në Tomsk, andaj dhe dyshimet janë që helmi mund t’i jetë vënë qëllimisht brenda në çaj. 

“Ai piu vetëm një gotë me çaj të zi, në aeroport. Konsiderojmë se ai është i helmuar pikërisht përmes çajit. Kjo i dedikohet fushatës parazgjedhore.  Nuk e di se kush e ka sjellë vendimin,  sigurisht që pushteti ka ide kur situata është më e rrezikshme  dhe kur duhet ta  neutralizojnë Aleksejin.”,- tha zëdhënësja e liderit të opozitës, Kira Jarmish.

Nga Kremlini zyrtar thonë se helmimi duhet të konfirmohet nga testet laboratorike, dhe se autoritetet do ta shqyrtojnë kërkesën që Navalny të trajtohet jashtë shtetit, nëse do të ketë një të tillë.

Aleksej Navalni është një nga  kritikuesit më të mëdhenj të  politikave të presidentit rus, Vladimir Putin. Në qershor të këtij viti votimin për reformat  kushtetuese ai i shpalli si puç dhe shkelje të kushtetutës ruse, sepse të njëjtat sipas tij i mundësuan presidentit të fitojë edhe dy mandate të tjera.

Presidenti i Bjellorusisë,  Lukashenko,  akuzoi  për përfshirje të Navalnit dhe bashkëpunëtorëve të tij në  protestat  në qytetin Minsk. (Merita Gashi, TVM2)