Maqedoni
PDSH, në vend të pyetjeve paraqiti kritika
30.10.2014 17:22
Edhe në seancën e sotme parlamentare ka pasur përplasje mes deputetëve të PDSH-së dhe kreut të parlamentit për keqpërdorimin e seancës parlamentare për pyetje deputetësh...

Deputeti i PDSH-së, Imer Aliu, rastin e tij për parashtrim pyetjesh ndaj qeverisë e ka shfrytëzuar për akuza ndaj partive në pushtet dhe në fund nuk ka bërë pyetje për asnjërin nga ministrat e pranishëm.
Por, kjo është kritikuar sërish nga kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, i cili është shprehur se PDSH-ja po e keqpërdor foltoren e kuvendit për monologje.
“Seancat e pyetjeve të deputetëve sigurisht që janë një shans i mirë, në veçanti për opozitën, që të ballafaqohen me pjesëtarët e qeverisë sa u përket projekteve dhe politikave qeveritare. Mirëpo halli është se s’ka projekt. Por, ne mund të flasim për politikat qeveritare, të cilat janë skajshmërisht antishqiptare dhe në dëm të shqiptarëve, qofshin për aspektin infrastrukturor apo edhe në aspektin politik, që ka të bëjë me të drejtat e shqiptarëve. Dhe sigurisht që nuk do të parashtroj asnjë pyetje. Po kush ju bën hesap, kush ju pyet juve që tu pyes unë tani”- deklaroi deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.
“Z. Imer Aliu, unë sa e di, kur parashtruat tre pyetje, njëra është për Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, njëra për Ministrinë e Ekonomisë dhe e treta për Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe nëse unë nuk kam të drejtë, opinioni sheh mirë, kurse ju jeni në mbledhjen e parashtrimit të pyetjeve të deputetëve dhe mbani monolog”- tha kryetari i Parlamentit të RM-së, Trajko Veljanovski.
Me procedurale ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, i cili tha se parashtrimi i pyetjeve të deputetëve është rregulluar në bazë të rregullores për punën e kuvendit dhe i bëri apel PDSH-së të mos e keqpërdorin institucionin “Pyetje deputetësh”.
Por, kundërpërgjigja e deputetit të PDSH-së, Imer Aliu, ishte se ata janë të lirë të flasin dhe është e drejtë e tyre nëse do të parashtrojnë pyetje ose jo ndaj përfaqësuesve dhe bartësve të funksioneve qeveritare.
MEFAIL ISMAILI
