Bisedimet në Uashington, shtyhet për të hënën takimi për “dialogun”
Delegacioni kosovar do të niset drejt Uashington-it më 2 shtator...

Delegacioni kosovar do të niset drejt Uashington-it më 2 shtator duke synuar nënshkrimin e marrëveshjes finale me Serbinë.
Megjithëse koha po afron, takimi konsolidues mes liderëve të partive politike të koalicionit me Kryeministrin, Avdullah Hoti, i paraparë për të enjten është shtyrë për ditën e hënë. Jozyrtarisht, takimi është shtyrë pasi në vend nuk ishte edhe Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj. Burimet bëjnë me dije se përveç unifikimit politik, liderët do të vendosin se kush do të jetë pjesë e delegacionit me kryeministrin Hoti. Takimi i dy shtatorit në Shtëpinë e Bardhë vjen pas anulimit të atij të 27 qershorit, si pasojë e mospjesëmarrjes së palës kosovare pas publikimit të aktakuzës së pakonfirmuar nga Gjykata Speciale ndaj presidentit, Hashim Thaçi.
Ndërkohë presidenti serb Aleksander Vuçiq i është kundërpërgjigjur liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj që tha se delegacioni i Kosovës po udhëton drejt Uashingtonit për bisedime me përfaqësuesit e Beogradit, me qëllim që të diskutohet njohja e Kosovës, Vuçiq tha: “Nëse ai e pret këtë, Ramushi mund ta kthejë menjëherë aeroplanin. Nuk ka nevojë të harxhojë kerozinë. Ne do të shkojmë në Uashington për bisedime të rëndësishme. Nga skenari që ata marrin gjithçka dhe ne asgjë, atë film nuk do ta shikojnë”. (Flutura Latifi, TVM2)
