Botë
Biden pranon nominimin e demokratëve, hedh akuza të forta ndaj presidentit Trump
21.08.2020 10:05
Joe Biden ka pranuar nominim e demokratëve për të kandiduar për president...

Joe Biden ka pranuar nominim e demokratëve për të kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Në natën e katërt të Kuvendit Kombëtar të Demokratëve, gjatë fjalimit të tij, Biden lëshoi akuza të forta ndaj presidentit republikan, Donald Trump duke thënë se ai e ka mbuluar Amerikën me errësirë prej një kohe të gjatë.
“Të bashkuar ne mund dhe do ta kapërcejmë këtë stinë të errësirës. Presidenti Trump nuk merr asnjë përgjegjësi për përhapjen e sëmundjes ngjitëse dhe refuzon të udhëheqë. Pas gjithë kësaj kohe ky president ende nuk ka një plan për të luftuar pandeminë. Ai nuk arriti të mbrojë Amerikën dhe kjo është e pafalshme”, tha Biden.
Edhe Trump sulmoi kundërshtarin e tij. Në një vizitë të enjten në Old Forge, Pensilvani, afër shtëpisë së fëmijërisë së Bidenit në Scranton, Trump hodhi akuza dhe sulme të forta ndaj tij.
“Nëse doni një vizion të jetës suaj nën presidencën Biden, mendoni për rrënojat e shkrumbuara në Minneapolis, anarkinë e dhunshme të Portlandit, trotuaret me gjak të Çikagos, imagjinoni kaosin që vjen në qytetin tuaj dhe në çdo qytet të Amerikës” – tha Presidenti Trump mbështetësve disa orë përpara fjalimit të Bidenit.
