Maqedoni

Ademi, mbron provimin shtetëror për studentët

30.10.2014 17:28

MASH-i, përfaqësues nga universitetet, si dhe OJQ-të ishin pjesë e debatit që parasheh ndryshimin e Ligjit të Arsimit Sipëror...

MASH-i,  përfaqësues nga universitetet, si dhe OJQ-të ishin pjesë e debatit që parasheh ndryshimin e Ligjit të Arsimit Sipëror, sipas të cilit studentët do të duhen t’i nënshtrohen provimit shtetëror në fund të vitit të dytë dhe të katërt. Përmes këtyre debateve do të arrihet deri tek modaliteti, i cili do të pranohej eventualisht, ndërsa qëllimi i tyre është sigurimi i studimeve cilësore dhe diplomave kredibile.
 
“Qëllimi i MASH-it është që bashkërisht të debatojmë dhe të vijmë në konkluzione për modalitetin, i cili do të pranohej eventualisht gjatë aplikimit, të mos cenohet autonomia e universiteteve dhe të mos dëmtohen studentët dhe profesorët”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
Profesorët universitar, shprehën qëndrimet e tyre për mënyrën e zbatimit të këtij provimi.
 
“Me këtë politikë, bëhet përpjekje që të sigurohet unitet në certifikimin ndërkombëtar të dijes së studentëve, të performancave të tyre, me qëllim që ata të përballojnë konkurrencën në tregun e punës”- tha dekani i USHT-së, Agim Nuhiu.
 
“Për mendimin tim është i përshpejtuar, për arsye se ka telashe në infrastrukturën funksionale të psikologjisë së studimit dhe do të jetë mirë që të kategorizohen studentët me 6, 8, 10, të bëhet klasifikim brenda universiteteve për gjendjen reale”- u shpreh profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Ndërkohë, sipas përfaqësueses së Forumit Rinor, Marija Mircevska, këto ndryshime cenojnë autonominë e universiteteve dhe të drejtën e studimeve. 
 
Debate të tilla do të organizohen edhe në të ardhmen deri në gjetjen e modalitetit, i cili do të zbatohej në praktikë.
 
FLUTURA LATIFI