Maqedoni

UNSHM takon përfaqësuesit qeveritarë, Hodai: Mbesim në qëndrimin për mësim të kombinuar

21.08.2020 15:39

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme vazhdon të mbesë në qëndrimin se procesi edukativo-arsimor...

Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme vazhdon të mbesë në qëndrimin se procesi edukativo-arsimor duhet të zhvillohet në mënyrë të kombinuar për të gjitha nivelet. Ky qëndrim iu shfaq edhe përfaqësuesve të ekzekutivit në takimin që zhvilluan palët paraditen e së premtes. Qeveria i ftoi të marrin pjesë edhe në takimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, që të njihen edhe me aspektin epidemiologjik. Blendi Hodai - kryetar i  Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, u shpreh pas takimit se kërkesa e tyre do të shqyrtohet edhe njëherë në prag të fillimit të vitit shkollor ku do të merret parasysh situata epidemiologjike.
 
“Gjithsesi, qëndrimi i Unionit vazhdon të jetë i njëjtë, të kërkojmë mësim të kombinuar pasi atë e kërkojnë edhe nxënësit. Ndërsa sa i përket protestave, ne i kemi paralajmëruar jo si kërcënim, por si metodë që nuk mund të evitohet.”,- theksoi kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, Blendi Hodai.
 
Qeveria: Modeli i propozuar, minimizon rreziqet nga infektimi
 
Nga Qeveria shprehen se modeli i propozuar duhet të pranohet si një model që në masë të madhe zvogëlon rreziqet për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve.
 
“Modeli për organizimin e kombinuar të mësimit online me mjete për komunikim me internet dhe me pjesëmarrje fizike të nxënësve nga klasa e parë deri në klasë të tretë në arsimin fillor, me disa përjashtime të tjera, atje ku në aspektin shëndetësor është e sigurt, u theksua se pranohet si një model që në masë të madhe zvogëlon rreziqet për shëndetin e studentëve dhe mësuesve.”,- thuhet në njoftimin e Qeverisë.
 
Në takimin ku ishte i pranishëm kryeministri Spasovski, zëvendëskryeministrja Carovska dhe ministrat e Arsimit dhe të Shëndetësisë, Ademi dhe Filipçe, e pranuan sugjerimin e përfaqësuesve të Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme për kyçjen e tyre më të madhe në përgatitjet për organizimin dhe zbatimin e modelit të pranuar për t’u arritur zgjidhjet më të mira në interes të nxënësve.
 
ZEKIRJA MEXHITI