Libia drejt paqes, palët në konflikt arritën armëpushimin
Pas vitesh të tëra lufte civile që ka ndarë në dysh vendin afrikano-verior....

Pas vitesh të tëra lufte civile që ka ndarë në dysh vendin afrikano-verior, Libia po hapëron drejt paqes.
Fayez al-Serraj, presidenti i njohur nga komuniteti ndërkombëtar dhe Aguila Saleh , kreu i të ashtuquajturit “parlamenti i Tobruk”, kanë deklaruar një armëpushim në gjithë territorin e vendit, dhe rifillimin e dialogut politik në mënyrë që në mars të shkohet në zgjedhje të reja.
Sipas marrëveshjes, Sirte dhe al-Jufra, zonat ku është luftuar muajt e fundit, do të çmilitarizohen dhe luftëtarët e dy palëve do të zëvendësohen nga forca policie të përbashkëta.
Me marrëveshjen e re mund të rifillojë edhe prodhimi i naftës, që sheh Libinë si një nga aktorët më të rëndësishëm në rang global, por që ka kufizuar prodhimin praktikisht që pas rënies së diktatorit Gadafi në vitin 2011.
Nuk vijnë ndërkohë mesazhe zyrtare nga gjenerali Haftar, kreu i ushtrisë kombëtare libiane që faktikisht kontrollon Tobrukun, aleat me Saleh.
Gjithsesi gjenerali kishte përshëndetur që në qershor një marrëveshje të mundshme.
