Covid-19, 10 viktima në Kosovë, kurse dy viktima në Shqipëri
Autoritetet shëndetësore në Kosovë...

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë bërë të ditur se edhe 10 persona të infektuar me virusin Korona kanë vdekur, duke e çuar në 448 numrin e viktimave nga ky virus.
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë edhe 162 raste të reja janë diagnostikuar pozitiv me virusin Korona, derisa numri i tyre ka shkuar në 12.168. Rastet e reja pozitive janë nga komuna të ndryshme të Kosovës nga të cilat me numër më të madh janë regjistruar në komunën e Prishtinës. 220 pacientë janë shëruar duke e rritur numrin e përgjithshëm i të shëruarve në 8.149, numri i rasteve aktive është 3.571.
Në Shqipëri, autoritetet shëndetësore njoftojnë për 2 viktima, duke e quar në 240 numrin e vdekjeve që nga fillimi i pandemisë, janë regjistruar edhe 152 raste të reja me Covid-19 në 24 orët e fundit.
“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 2 pacientë, një 61 vjeçar nga Korça dhe një 83 vjeçar nga Mirdita, me sëmundje bashkëshoqëruese. Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 137 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 24 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.”,- u shpreh Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë shëruar 110 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 4096 që nga fillimi i pandemisë. Aktualisht janë 3783 raste aktive. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
