Maqedoni

Aksident, një i vdekur katër të lënduar

30.10.2014 18:13

Një i vdekur dhe katër të lënduar është epilogu i aksidentit të rëndë të ndodhur në mesditën e sotme në kilometrin e pestë të magjistrales Kumanovë – Shkup...

Një i vdekur dhe katër të lënduar është epilogu i aksidentit të rëndë të ndodhur në mesditën e sotme në kilometrin e pestë të magjistrales Kumanovë – Shkup, tek pompa e benzinës në afërsi të motelit “Milano”.
 
Në këtë aksident është përfshirë një makinë e tipit BMV, kurse në të ishin 5 banorë të fshatit Çerkez të Kumanovës, të gjithë të një familjeje.
 
Nga lëndimet e marra, B. R. 44 vjeç ka humbur jetën, kurse katër të tjerë kanë marrë lëndime. 
 
Sipas një dëshmitari okular, i cili nuk deshi të prononcohet para kamerës, makina fillimisht ishte përplasur në rrethojën mbrojtëse, kurse pastaj edhe ishte rrokullisur.
 
“Fillimisht dëgjuam një zhurmë të madhe nga plasaritja e makinës në rrethojën mbrojtëse të magjistrales, kurse pastaj edhe rrokullisje të makinës. Me të parë këtë ngjarje tmerruese, menjëherë vrapuam për t’u ofruar ndihmë dhe lajmëruam ndihmën e shpejtë. Tashmë i ndjeri, B. R.,  në momentet e para pas aksidentit kishte shenja jete, por kur arriti ndihma e shpejt mjeku konstatoi vdekjen e tij”- rrëfeu njëri nga dëshmitarët okular. 
 
Katër të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Kumanovës, nga të cilët,  siç na njoftoi drejtori  i Spitalit, Arif Latifi, pas ndihmës së parë dy prej tyre janë lëshuar në kurim shtëpiak, njëri është ndalur në Spitalin e Kumanovës, kurse tjetri për shkak të seriozitetit të lëndimeve është dërguar në Spitalin e Shkupit. 
 
Në vendin e ngjarjes dolën edhe organet e hetuesisë, për të kryer ekspertizën rreth aksidentit fatal.
 
NEXHAT AQIFI