Kulturë
Strugë, u mbajt edicioni i 29 i festivalit “Këngë Jeho”
24.08.2020 13:57
Mbrëmë në Strugë u mbajt edicioni i 29 i festivalit tradicional “Këngë Jeho”...

Mbrëmë në Strugë u mbajt edicioni i 29 i festivalit tradicional “Këngë Jeho”, një nga evenimentet më të rëndësishme të këngës dhe valleve shqiptare. Ndryshe nga vitet e kaluara, ku festivali është mbajtur 3 net, këtë vit festivali ishte i reduktuar dhe u mbajt vetëm një natë, për shkak të pandemisë. Megjithatë, organizatorët për TVM2 thanë se janë të kënaqur dhe se çdo gjë shkoi siç ishte e planifikuar.
“Festivali i 29 dhe festivali “Këngë Jeho” i Strugës, është një sublim, ku i bashkon të gjithë shqiptarët, një gjë që se bën politika, e bën festivali. Në këtë natë ishim të bashkuar të gjithë në këngë dhe në valle, në hare, pra Struga përjetoi një natë gazmore ku edhe ylberi kur del nga uji nuk mund t’ia japë këtë bukuri që ia dhanë këta artistë. Jam i kënaqur tepër që arrita me sukses në këtë kushte të vështira dhe mbaruam me sukses festivalin e 29.”,- tha drejtori i festivalit, Zini Jusufi.
“Ne themi natë e reduktuar, në fakt nuk ishte natë e reduktuar, sepse ai pjalmi nga disa ansamble erdhi, skena, spektatori ishte plot e përplot dhe duhet një falënderim i veçantë për organizatorët, sepse ata krijuan një lidhje, nuk u shkëput, por jo vetëm që qëndroi si lidhje, por për mua ia arriti edhe qëllimit në shumë pika që ka një festival.”,- theksoi regjisori dhe udhëheqës i festivalit, Llesh Nikolla.
Për shkak të situatës, në festival nuk mund të merrnin pjesë ansamble nga Kosova, megjithatë kishte shumë ansamble dhe këngëtarë popullor nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të cilët u shpërblyen edhe me disa çmime, si traditë e festivalit.
“Edhe pse me një kohë të vështirë, pandemie, edhe provat edhe punët dhe organizimi që e kemi bërë, me shumë vështirësi, por ja që ja dolëm, kur kemi dëshirë dhe vullnet të mirë, normalisht edhe suksesi është i pashmangshëm.”,- u shpreh drejtori i AKVP “Bajram Shabani” – Kumanovë - Çmimi i Parë, Dritan Ramadani.
“Ne këtë festival morëm çmimin e publikut të Strugës, për ne është shumë kënaqësi sepse artisti ku duartrokitet d.m.th. që ka hyrë në zemrat e struganëve dhe shqiptarëve.”,- theksoi drejtori i SHA “Dance Plus Folk” Elbasan - Çmimi i Publikut.
Në festival interpretoi edhe poeti dhe aktori i njohur strugan, Xhevat Limani, i cili për TVM2 tha se kënga dhe vallja janë shumë të rëndësishme, e sidomos në këtë kohë pandemie.
“Jeta vazhdon, kënga dhe vallja janë pjesë e jetës dhe njerëzit janë të lindshëm dhe të vdekshëm, andaj deshën s’deshën do të jenë kalimtarë në këtë botë, mirëpo në kalimtarinë e tyre, ata duhet të shënojnë gjurmë në epokë, gjurmën e shënojnë me këngë, me valle, me artin e tyre popullor, varet se çfarë krahine, këtu kishte një kolori të bukur që nga Kumanova gjer në Librazhd dhe kjo ishte shumë e rëndësishme.”,- tha Xhevat Limani – poet, aktor.
Festivali u realizua me të gjitha masat dhe protokollet për mbrojtje nga pandemia. Vitin e ardhshëm festivali do të shënojë vitin jubilar, 30 vjetorin.
ILMIJE ZHAKU
