Botë
Arrihet marrëveshja për gazin mes Rusisë, Ukrainës dhe BE-së
31.10.2014 14:57
Është arritur në orët e fundit të së enjtes marrëveshja e gazit mes Ukrainës, Rusisë dhe Bashkimit Evropian...

Është arritur në orët e fundit të së enjtes marrëveshja e gazit mes Ukrainës, Rusisë dhe Bashkimit Evropian, për rifillimin e furnizimit me gaz të Ukrainës pas disa muajsh bllokimi për shkak të konfliktit në lindje të vendit.
Zyrtarët e BE-së, bënë të ditur se Rusia dhe Ukraina kishin negociuar fort për të marrë mbështetjen e bllokut perëndimor. Rusët kërkuan para nga BE-ja për të ndihmuar Ukrainën të paguante borxhet ndaj “Gazporm”-it, ndërsa ukrainasit donin me këmbëngulje që të firmosej marrëveshja në mënyrë që të tregonin para votuesve të vetë se nuk do të paguanin më shtrenjtë për furnizimet jetike me gaz.
Presidenti i Komisionit Evropian në largim, Hoze Manuel Barrozo, ishte dhe vetë i pranishëm gjatë ceremonisë së firmosjes së marrëveshjes trepalëshe.
Ministri rus i Energjisë, Aleksandër Novak, tha se shpresonte që marrëveshja të ndihmonte në rikthimin e qëndrueshmërisë në Ukrainë, por theksoi se sërish Kievi duhet të parapaguajë për të marrë furnizime të reja për 45 milionë banorët e vendit.
Ndërsa homologu ukrainas, Juri Prodan, tha se marrëveshja do të sjellë përfitime jo vetëm për vendin e tij, por edhe për Bashkimin Evropian.
Rreth 1/3 e gazit në Evropë vjen nga Rusia dhe pothuajse gjysma e sasisë kalon përmes Ukrainës. Ndërsa për Rusinë, sektori i gazit natyror përbën rreth 1/5-tën e buxhetit kombëtar.
