Maqedoni

Konfirmohet dorëheqja e Florin Besimit, Kuvendi në pritje të raportit të KSHZ-së për emrin e deputetit të ri të BDI-së

25.08.2020 12:13

Në seancën e sotme, Kuvendi konfirmoi dorëheqjen nga përbërja e re parlamentare të deputetit të BDI-së Florin Besimi...

Në seancën e sotme, Kuvendi konfirmoi dorëheqjen nga përbërja e re parlamentare të deputetit të BDI-së, Florin Besimi, që u tërhoq me qëllim që të shmanget një konflikt i mundshëm i interesave, gjatë votimit në Kuvend të Qeverisë së re,  në të cilën vëllai i tij Fatmir Besimi është nominuar nga integristët, si ministër i financave.

Priten dorëheqje edhe nga deputetë të tjerë të cilët  mandatari Zoran Zaev njoftoi se do t’i propozojë për përbërjen e qeverisë së re. Përveç mandatarit, nga posti i deputetit duhet të japin dorëheqje edhe Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov, Milla Carovska, Oliver Spasovski, Lupço Nikollovski, Jagoda Shahpaska si dhe Naser Nuredini. 
 
Kreu i LSDM-së Zaev njoftoi se do të paraqesë propozimin për përbërjen e qeverisë së re në Parlament, pasi deputetët që duhet të jenë ministra të japin dorëheqjen, të verifikohen mandatet e atyre që do t'i zëvendësojnë dhe të merret një vendim për numrin e nënkryetarëve të Parlamentit. Xhaferi e shtyu vazhdimin e seancës, deri në arritjen e raportit nga KSHZ për emrin e deputetit që do të zëvendësojë Florin Besimin.