Botë

Dialogu Kosovë-Serbi, BE: Vazhdon më 27 gusht në nivel ekspertësh

25.08.2020 18:24

Burimet e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se më datën 27 gusht në Bruksel...

Burimet e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se më datën 27 gusht në Bruksel do të zhvillohet një takim i radhës në nivel ekspertësh në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimin Evropian.
 
"Ne mund të konfirmojmë se takimi i radhës do të zhvillohet me 27 gusht. Si rregull ne nuk bëjmë komente për diskutimet që janë në vazhdim e sipër”, ka thënë Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri.
 
Burimet diplomatike në BE kanë paralajmëruar se në fillim të shtatorit do të mund të zhvillohet edhe një round i takimit në nivelin e lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në Bruksel deri më tani është biseduar për të pagjeturit, të zhvendosurit dhe për bashkëpunimin ekonomik.
 
Në  vjeshtë pritet një rritje e dinamikës së procesit të dialogut dhe synohet që takime të liderëve të ketë dy herë në muaj, ndërsa takimet e ekspertëve të zhvillohen çdo javë.
 
Diplomatët në Bruksel vazhdojnë të insistojnë se sa i përket normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë i vetmi dialog është ai i cili zhvillohet në Bruksel dhe se për këtë BE-ja ka marrë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
 
Më 4 shtator liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Uashington. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE-ja rifilloi me 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.