Maqedoni

Studentët e Shkupit kundër provimit shtetëror

31.10.2014 16:41

Rreth 200 studentë, para Rektoratit të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” kërkuan nga senati të marrë qëndrim rreth propozimit për zbatimin e testimit ekstern në arsimin sipëror...

Edhe fëmijët tuaj do të studiojnë, mos e dhunoni arsimin, ne kemi vetëm një librezë, ajo quhet indeks, ishin disa nga mesazhet e studentëve. Ndërsa mbishkrimin “stop për testimin ekstern” e ngritën deri tek përmendorja e universitetit.
 
“Në momentin kur studentët vetorganizohen, kur mund të formohet masë kritike, jam e bindur që secilin student që do e pyesni se pse nuk e përkrah këtë propozim, do të parashtrojë argumente se pse refuzohet një gjë e tillë”- deklaroi kryetarja e Forumit Rinor Arsimor, Marija Mircevska.
 
“Jemi mbledhur këtu që të shprehim revoltën, por edhe t’u tregojmë profesorëve se ne nuk e pranojmë vendimin e qeverisë dhe ministrisë dhe duam që ky vendim të debatohet në senat dhe të merren masa që ai të refuzohet”- tha një student.
 
“Nuk mundet përmes një provimi të vlerësohet dituria jonë, kjo notë do të ishte joreale, kërkojmë të tërhiqet ky vendim, sepse kjo nuk është metoda e vetme”- tha një studente. 
 
Ndërkohë, rektori i këtij universiteti tha se qëndrimi i tyre do të bëhet publik në momentin e marrjes së shkresës zyrtare nga MASH-i.
 
“As Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi”, po as universitetet e tjera nuk kanë marrë shkresë zyrtare nga MASH-i, në atë moment kur do ta marrim propozimin në formë të shkruar, drejtoria dhe senati do të organizojnë debat publik dhe ne do ta themi mendimin tonë”- u shpreh rektori i Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski.
 
Protestën e sotme studentët e organizuan përmes rrjeteve sociale, të shqetësuar nga propozimi se testimet eksterne të vitit të dytë dhe të katër për ta do të jenë likuiduese, pa kalimin e suksesshëm të tyre nuk do munden të vazhdojnë arsimin sipëror.
 
FLUTURA LATIFI