Maqedoni

110 vjet nga lindja e Nënë Terezës, përkujtohet shenjtorja simbol e humanizmit

26.08.2020 16:39

E lindur 110 vite më parë pikërisht në qendrën e atëhershme të Shkupit...

E lindur 110 vite më parë pikërisht në qendrën e atëhershme të Shkupit, e rritur dhe brymosur në një rreth diversitetesh fetare dhe etnike, Gonxhe Bojaxhiu- Shën Tereza, u bë simbol i humanizmit në mbarë globin. E pikërisht në ditëlindjen e saj, ajo u përkujtua në shtëpinë ku u rrit dhe u krezmua. Me këtë rast u shpalos edhe pllaka përkujtimore, e cila më në fund është e shkruar edhe në gjuhën amtare të Nënë Terezës, gjuhën shqipe. 
 
“Sot kur bota ballafaqohet me pandeminë e COVID-19, e cila është kanosje globale për shëndetin e gjithë njerëzimit, goditje e hatashme mbi themelet e çdo sistemi shëndetësor dhe ekonomik, të gjithë njëlloj kemi nevojë për mbështetjen e njëri-tjetrit.”,- deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
 
“Nënë Tereza u rrit në këto kalldrëme të qytetit të Shkupit dhe u brymos me këtë frymë dhe jo rastësisht ajo ishte e gatshme dhe për botën mbarë që të jep gjithçka që të jetë në shërbim të atyre të cilët kanë nevojë.”,- theksoi kryetari i ITSHKSh-së, Skender Asani.
 
Për të mbajtur gjallë frymën e punës së palodhshme të Nënë Terezës, angazhohen edhe shoqata të shumta nga vendi. Gonxhe Bojaxhiu mbetet personi që shërben si letërnjoftim për këto troje, thonë nga Shoqata “Shkupjania Nëna Terezë”.    
 
“Bashkëqytetarja jonë ka lënë një gjurmë të përjetshme në historinë botërore për humanizëm, dashurinë ndaj njerëzve dhe Zotit, etikën, moralin dhe afrimin e njerëzve nga e gjithë bota. Ashtu siç e gjithë bota përkujton punën e saj, edhe ne si shoqatë mundohemi të mbajmë gjallë frymën e saj.”,- u shpreh kryetari i Shoqatës “Shkupjania Nëna Terezë”, Dimçe Petrushevski. 
 
Në këtë përvjetor, ITSHKSh promovoi edhe librin “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza”, të autorëve Skënder Hasani, Nora Maliqi Zylali dhe Albert Ramaj, i cili shërben për të njohur më mirë veprën e shenjtores që lindi në një familje katolike shqiptare, por u bë simbol i humanizmit pa dallim feje.  
 
ERSAN PAJAZITI