Maqedoni
Reformat në gjyqësor, Zaev: Të gjithë njësoj para ligjit, edhe funksionarët
26.08.2020 16:55
Një nga postulatet e ardhshme të ekzekutivit do të vijojë të mbetet drejtësi e barabartë për të gjithë...

Një nga postulatet e ardhshme të ekzekutivit do të vijojë të mbetet drejtësi e barabartë për të gjithë. Mandatari, Zoran Zaev, derisa dorëzoi në Kuvend propozimin për Qeverinë e re, theksoi se lufta për drejtësi do të jetë e pakrompromis dhe se çdokush që ka gabuar para ligjit qoftë edhe nga funksionarët publikë, do të duhet të jap[ llogari para drejtësisë. Sipas Zaevit, pa drejtësi të pavarur nuk mund të ketë funksionim të shtetit.
“Nëse lejojmë që kushdo qoftë për të cilin ekzistojnë dyshime apo argumente që t’i shmanget drejtësisë, atëherë kemi zhdukur komplet shtetin. Çdokush, qoftë edhe funksionar i lartë i LSDM-së, ose koalicionit që janë nëpër procese gjyqësore të dëshmojnë pafajësinë e tyre ose t’iu konfirmohet fajësia dhe për të të marrin përgjegjësi. Një nga postulatet e këtij koalicioni mes koalicionit “Mundemi” dhe BDI-së është lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe qeverisja e së drejtës si dhe para ligjit të gjithë të barabartë.”,- tha mandatari për formimin e Qeverisë, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE: As reforma as drejtësi, Zaev ka politizuar gjyqësorin
Opozitarja VMRO-PDMNE vazhdon akuzat për gjyqësor të politizuar. Duke përmendur rastin “Zhvatja 2”, opozita akuzon se me Zaevin në krye nuk do të ketë sundim të ligjit dhe reformat që proklamon kreu i ekzekutivit bëhen për të amnistuar kriminelët e për të ndjekur politikisht oponentët.
“Zoran Zaev nuk mund të porosisë asnjë rast për zbatimin e drejtësisë, e arsyetimet do t’i kërkojë tek gjykatat dhe prokuroritë, me të cilat drejton.”,- u shpreh Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE.
Besimi në gjyqësor të pastër pa ndikime në mandatin e kaluar të Zaevit u luhat dukshëm pas plasjes së skandalit “Reket” në të cilin ishin të përfshira ish kryeprokurorja e PSP-së dhe funksionarë të tjerë të lartë të LSDM-së.
ZEKIRJA MEXHITI
