Maqedoni
Në Shkup shënohet “Dita e ashures”
31.10.2014 16:46
Me rastin e “Muajit Muharrem”, gjegjësisht muajit të parë të kalendarit islam, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u kremtua sot manifestimi “Dita e ashures”...

Ky manifestim u organizua nga O. H. “El Hilal”, nën patronazhin e qytetit Bursa të Turqisë dhe Komunës së Çairit, si dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Ensar” nga Shkupi.
Ky solemnitet që po mbahet për herë të nëntë në Shkup edhe kësaj here u prit me interesim të madh nga ana e qytetarëve, të cilët patën mundësi që t’i shijojnë ushqimet e ndryshme tradicionale që ishin vendosur në çarshi, e cila ka vend të veçantë në kulturën islame.
“Ashurja është një traditë e cila në sheriatin islam konsiderohet si nafile dhe festohet vite me radhë këtu në Shkup. Sivjet diçka është niveli më i ngritur, se prezent bashkë me ne është edhe kryetari i BFI-së së Turqisë dhe mendoj se ambienti është në nivel të duhur”- deklaroi një qytetar.
“Ditës së ashures i kushtojmë rëndësi të veçantë, prandaj edhe jemi mbledhur këtu të festojmë”- tha një qytetar.
“Manifestim shumë i mirë, na kanë ardhur mysafirë nga Turqia, festojmë “Ditën e ashureve” dhe shumë mirë po duket”- u shpreh një qytetar.
Në këtë eveniment, i pranishëm ishte kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili theksoi gatishmërinë për të përkrahur aktivitetet kulturore.
“Në përgjithësi, Komuna e Çairit është e koncentruar në aktivitetet kulturore, ky është një ndër ato aktivitete që është organizuar në bashkëpunim me Komunën e Bursës dhe organizuar nga “El hilali”. Komuna e Çairit në përgjithësi është e hapur për aktivitetet kulturore, që kontribuojnë drejtpërdrejt në promovimin e Çarshisë së Vjetër”- u shpreh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Kjo ditë në historinë islame shënohet në ditën e dhjetë të “Muajit Muharrem”, muajit të parë në kalendarin islam, që është muaj i solidaritetit, humanitetit dhe luftës kundër së keqes.
VALBON BEXHETI
