Konflikti Turqi-Greqi, rriten shqetësimet në BE, intervenon edhe Trump
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u shpreh “shumë e shqetësuar” për tensionet e shtuara në Detin Mesdhe...

Ajo u takua në Berlin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Si Merkel edhe Stoltenberg u shprehën “shumë të shqetësuar për konfliktin mes dy vendeve anëtare dhe i bënë thirrje si Ankarasë edhe Athinës për “dialog dhe hapa për ç’shkallëzim”.
Konflikti duhet të zgjidhet në “frymën e solidaritetit të aleancës dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”, thanë ata.
Edhe presidenti Trump ndërmjetëson në krizën e Mesdheut. Sipas njoftimeve të zyrës së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis është zhvilluar një telefonatë me presidentin amerikan të mërkurën në mbrëmje për gjendjen e tensionuar mes Greqisë dhe Turqisë.
Sipas mediave, Trump ka telefonuar më pas edhe me presidentin turk, Erdogan. Në një njoftim të zyrës së komunikimit në Ankara, Erdogan ka bërë të qartë në telefonatën me presidentin Trump, se Turqia nuk është ajo anë, që po e prish stabilitetin. Vendi i tij ka treguar me hapa konkretë, se është gati për dialog, ka thënë Erdogan.
Që nga zbulimi i rezervave të gazit në Mesdheun lindor ka filluar një konflikt i ashpër për shfrytëzimin e tyre. Si Greqia edhe Qiproja, por edhe Turqia ngrenë pretendimin për zonat detare në fjalë dhe i japin forcë këtij pretendimi përmes dërgimit të anijeve luftarake.
Ky konflikt ka rritur shqetësimet në NATO dhe BE, se grindja mund të çojë në konflikt ushtarak. Të enjten konflikti mes Athinës dhe Ankarasë diskutohet edhe në nivel ministrash të Jashtëm në Bruksel.
