Botë

Uragani Laura ka lënë mbi 400 mijë njerëz në SHBA pa energji elektrike

27.08.2020 20:39

Uragani Laura, i përshkruar nga meteorologët si “jashtëzakonisht i rrezikshëm”, goditi Shtetet e Bashkuara...

Uragani Laura, i përshkruar nga meteorologët si “jashtëzakonisht i rrezikshëm”, goditi Shtetet e Bashkuara, duke dëmtuar shumë ndërtesa, duke përmbytur një qytet të vogël dhe duke lënë më shumë se 400,000 njerëz pa energji elektrike.

Uragani Laura, brenda një dite, kaloi nga kategoria një në kategorinë e katërt, në shkallë prej pesë. Në orët e fundit është dobësuar në kategorinë e dytë.

Uragani dje e goditi tokën në qytetin Kameron në shtetin amerikan Luziana. “Valët katastrofike, erërat ekstreme dhe përmbytjet tashmë po ndodhin në pjesë të Luizianës”, kumtoi Qendra Kombëtare për Uragane.

Uragani ndodhet pothuajse 50 kilometra në veri-perëndim të Liqenit Çarls. Erërat janë me fuqi 250 kilometra në orë, dhe vetë uragani lëviz pothuajse 25 kilometra në orë.

Gjatë orëve të ardhshme, stuhia pritet të lëvizë në Luiziana dhe më pas të lëviz në veri pasdite sipas kohës lokale. Më shumë se 103,000 familje në Luiziana dhe Teksas tashmë janë pa energji elektrike, kurse në Kameron, ku uragani goditi tokën, thonë se nuk do të mund të vlerësojnë dëmin e shkaktuar nga valët e mëdha deri të premten.

“Uragani Laura është shumë i rrezikshëm dhe po bëhet më i shpejtë. Dëgjoni autoritetet tuaja lokale.

“Ne jemi me ju”, ka shkruar në Tuiter presidenti amerikan Donald Tramp. Laura, e cila ishte 845 km larg nga Luiziana dje, solli shira të mëdha dhe përmbytje në Haiti dhe Republikën Dominikane, ku të paktën 24 njerëz humbën jetën. Në Kubë, ajo shkaktoi vetëm dëme materiale./mia