Maqedoni

“Jugohrom” kërkon dy vite shtesë për standardet ekologjike

31.10.2014 17:24

Ngrohtorja e Shkupit “Makstil”, prej sot ndërpret prodhimin në repartin e çelikut deri në vendosjen e standardeve ekologjike, të cilat përfshijnë instalimin e filtrave mbrojtës në oxhaqet e kompanisë...

Afati i fundit për vënien e këtyre filtrave për dy gjigantet e mëdhenj ndotës në vend, “Makstil” dhe “Jugohorom”, skadon zyrtarisht sonte dhe siç  bëjnë me dije nga “Makstil”, prodhimi i tyre do të restartojë nga janari i vitit të ardhshëm. 
 
“Në periudhën e ardhshme, prej nëntorit  2014 deri në janar 2015, vijon faza përfundimtare e realizimit të projektit “Stacion i ri filtrues”. Kjo përfshin montimin dhe lidhjen e stacionit të ri me instalimet aktuale. Nga mesi i dhjetorit 2014 deri në mes të janarit 2015, vijojnë prova të ftohta dhe të ngrohta, pas të cilave reparti i çelikut sërish do të aktivizohet, ndërsa do të punojë sipas normave më të rrepta evropiane për misione të gazrave të nxjerra në ajrin ambiental"- thuhet në komunikatën me shkrim të “Makstil”.
 
Ndërkohë, fati i Ngrohtores “Jugohrom” është në duar të qeverisë.
 
Për momentin janë duke u rishikuar të gjitha opsionet e mundshme të kësaj kompanie, e cila akoma nuk ka filluar me përmbushjen e kushteve ekologjike. Qeveria duhet të marrë vendim për këtë  kompani.
 
Jozyrtarisht mësojmë se “Jugohrom“ ka kërkuar nga kompetentet të shtyhet afati i instalimit të filtrave mbrojtës edhe për 2 vjet.      
                                   
Në prill të këtij viti, qeveria u dha dy kompanive afatin e fundit për përmbushjen e kritereve ekologjike, me ç’rast do t’i vihet fund kapitullit të ndotjes së ambientit jetësor.
 
REXHEP QAMILI