Maqedoni

Covid-19, 5 të vdekur, 159 të infektuar e 212 të shëruar. Ballkani Perëndimor planifikon të hapë kufijtë

28.08.2020 16:15

Në 24 orët e fundit në vend 5 pacientë e kanë humbur betejën me virusin Korona...

Në 24 orët e fundit në vend 5 pacientë e kanë humbur betejën me virusin Korona, janë regjistruar 159 të infektuar të rinj nga 2.018 testime të kryera, teksa 212 pacientë janë shëruar.
 
Ata që humbën betejën me  Covid-19 janë një 61 vjeçare nga Shkupi, dy pacientë nga Dibra (43 dhe 86 vjeç), një pacient nga Kërçova (62 vjeç) dhe një 70 vjeçar nga Demir Hisari.
 
Të gjithë pacientët vdiqën në spital. Sa i përket rasteve të reja, 45 u regjistruan në Shkup, 26 në Kumanova, 12 - Prilep, kurse qytetet e tjera më pak se 10.
 
Edhe për nga numri i pacientëve të shëruar kryeson Shkupi, me 35. Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve me Korona në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 14.163.
 
Të gjitha vendet e rajonit tonë përballen me numër shqetësues rastesh pozitivë, e me të njëjtin preokupim se si të mbajnë situatën nën kontroll tani që vjeshta po afron, viti shkollor është në prag dhe viruset sezonale sigurisht që do të shtojnë shqetësimet për sistemin shëndetësor.
 
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, bëri bashkë përmes një video-konference  ministrat e shëndetësisë së Ballkanit Perëndimor, për të koordinuar veprimet për hapjen eventuale të kufijve duke siguruar kontroll mbi gjendjen me virusin Korona.
 
Ministrat u dakorduan që të përgatitet një dokument fillestar të protokollit të ndërsjellë për kufijtë, i përpiluar nga ekspertët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, Greqisë dhe Bullgarisë.
 
Se çfarë do të ndërmerret, do të diskutohet në konferencën tjetër pas dy javësh.
 
REJHANE BUSHI METAJ