Maqedoni
Fillimi me punë i kopshteve, Filipçe: Mund të hapen në shtator
28.08.2020 16:53
Kopshtet e fëmijëve mund të fillojnë me punë nga shtatori. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe...

Kopshtet e fëmijëve mund të fillojnë me punë nga shtatori. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, vlerëson se algoritmet janë gati, edhe nëse paraqiten raste të fëmijëve me temperaturë.
“Kemi biseduar, kemi pastruar dilemat rreth fillimit të punës së kopshteve të fëmijëve, kështu që duhet që në një seancë qeveritare të miratohet një vendim përkatës sipas propozimit të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale për datën e saktë të fillimit me punë. Është vështirë të thuhet tani, por vlerësoj se fillimi mund të jetë në shtator.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Për fillimin me punë të shkollave, prioritet i qeverisë po ashtu është mbrojtja e shëndetit të fëmijëve. Aktualisht modeli i kombinuar është zgjidhja përmes së cilës do të anashkalohej skenari i fëmijëve të sëmurë, siç ka ndodhur në vendet që i hapën shkollat me prani fizike, por më pas e tërhoqën vendimin.
Mësimi online i planifikuar si fillim, mund të zëvendësohet me kthimin gradual të fëmijëve në shkolla, por kjo varet nga kushtet epidemiologjike. Po punohet tashmë për platformën online me FINKI-n, platformë që pritet ta shfrytëzojnë 300 mijë shfrytëzues e që duhet të jetë gati deri më 15 shtator.
Kjo platformë e unifikuar do të ketë mundësi komunikimi të dyanshëm, mësimdhënësit më lehtë do të mbajnë mësimin online, do të mund të publikohen materialet mësimore dhe të jepen detyrat e shtëpisë.
Mësimi nga kjo platformë mund të ndiqet edhe nga telefoni, megjithatë për të bërë detyrat do të jetë e nevojshme që fëmija të ketë një kompjuter, me karakteristikat më të thjeshta IT.
HAMIDE EMINI
