Kulturë
Nata e pestë e festivalit teatror në Dibër
31.10.2014 18:12
Mbrëmë, drama e publicistit, Bashkim Hoxha, “Këtu vallëzohet me hijet”, e luajtur nga trupa profesioniste “Aleksandër Moisiu” nga qyteti i Durrësit, u paraqit këndshëm para publikut dibran...

Autori i veprës dhe njëkohësisht regjisori i shfaqjes teatrale sjell problematikën aktuale të shoqërisë shqiptare, së cilës e kaluara e hidhët, pra koha komuniste i ngatërrohet akoma nëpër këmbë.
Në shfaqe, gjatë gjithë kohës sulmohet mungesa e lirisë së sjelljes dhe fjalës, ndjekja nga sigurimi e familjeve shqiptare, duke i përcjellë deri në vdekje. Edhe pse ka afër një çerek shekulli i shkëputjes nga komunizmi, fabula e kësaj drame sjell në vëmendje faktin se kjo e shkuar e hidhët vazhdon të na përndjekë.
Sonte, në natën e pestë të festivalit, para publikut dibran do të paraqitet trupa teatrore “Andon Zako Çajupi” nga qyteti i Korçës, me pjesën “Kapitulli i dytë”, i autorit Neil Simon, me regji të realizuar nga Qëndrim Rijani.
ATLI DEMA
