Maqedoni

Në fundjavë votohet qeveria e re, VMRO – DPMNE do të votojë kundër kabinetit të Zaevit. Zaev: Në fokus kriza dhe më pas rritja ekonomike

28.08.2020 17:18

Propozimi i mandatarit, Zoran Zaev, për kabinetin e tij dhe programin qeverisës nesër para deputetëve për votim...

Deputetët e VMRO – DPMNE-së do të marrin pjesë në debatin parlamentar, për të demaskuar, siç thonë, kuadrot kriminale të qeverisë por se do të votojnë kundër kabinetit të Zaevit.
 
Thonë se propozimi për përbërjen e re qeveritare është i korruptuar, i pasuar me shumë skandale.
 
“Absolutisht se do të marrim pjesë në debat dhe do të votojmë kundër. Kemi mijëra arsye për të debatuar për kuadrin e vjetër – të ri, kriminel të LSDM-së, të mbushur me afera kriminale me nepotizëm dhe skandale të tjera që i ndoqën vitet e fundit.”,- tha zëdhënësi i VMRO–DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
 
Megjithatë, Zaev pret debat të frytshëm në parlament, duke dërguar porosinë se qeveria e re fillimisht do të fokusohet në tejkalimin e krizës shëndetësore dhe më pas rritjen ekonomike deri në vitin 2024.
 
Me rritjen e prodhimit të brendshme bruto, Zaev pret edhe rritjen e pagës minimale dhe mesatare.
 
“Presim të kthejmë rritjen stabile prej 4%, ose më shumë nëse kemi sukses, varësisht se si do ta tejkalojmë krizën. Pres që rroga minimale të vazhdojë të rritet gjatë gjithë kësaj periudhe, të rritet edhe paga mesatare dhe të ketë punë për të gjithë.”,- tha mandatari Zoran Zaev.
 
Qeveria e re do të angazhohet në sundimin e së drejtës dhe zhvillimin edhe të segmenteve të tjera të shoqërisë si pjesë e fazave vijuese të procesit eurointegrues me shumë benefite për t’u shfrytëzuar. Ndërkohë edhe më tej do të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara me Greqinë dhe Bullgarinë.
 
MERAL ISMAILI