Maqedoni

Seancë kuvendore për zgjedhjen e qeverisë së re

29.08.2020 10:43

Në Kuvend do të mbahet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re, të propozuar nga mandatari Zoran Zaev....

Në Kuvend do të mbahet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re, të propozuar nga mandatari Zoran Zaev. Për zgjedhjen e qeverisë nevojitet shumicë e thjeshtë, gjegjësisht 61 vota, ndërsa koalicioni qeveritar i LSDM-së dhe partive të tjera të koalicionit “Mundemi”, BDI dhe PDSH, në Kuvend ka shumicë parlamentare prej 62 deputetëve. Numri i vendeve të ministrave në qeverinë e re është ulur për shtatë dhe tani do të numërojë 19 ministra dhe kryeministrin.
 
Programin dhe propozim-përbërjen e Qeverisë së re, mandatari Zoran Zaev në kuvend i dorëzoi të mërkurën. Krahas Zaevit si kryeministër, anëtarë të Qeverisë do të jenë Ljupço Nikollovski si zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit, Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër për ekonomi, Nikolla DImitrov – zëvendëskryeministër për çështje evropiane, Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska – ministre e Mbrojtjes, Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë, Milla Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës, Jagoda Shahpaska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale dhe Irena Stefoska – ministre e Kulturës. Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do ta udhëheqë Arianit Hoxha nga BESA, Goran Milevski nga PLD do të jetë ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Artan Grubi nga BDI do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për sistem politik, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës është propozuar Jeton Shaqiri. Kreshnik Bekteshi mbetet ministër i Ekonomisë e Naser Nuredini ministër i Mjedisit Jetësor. Pasi deputetët do ta shqyrtojnë dhe debatojnë përbërjen e Qeverisë së njëmbëdhjetë, ajo duhet të votohet më së voni deri nesër në mesnatë.