Botë

Covid 19, rriten shifrat në botë, OBSH apele për kujdes

29.08.2020 15:29

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se në Evropë...

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se në Evropë ka pasur një rritje të konsiderueshme të rasteve me COVID-19 dy javët e fundit. Në 32 nga 55 zonat dhe territoret në rajone, ka pasur një rritje mbi 10 për qind, pjesa më e madhe e kësaj rritjeje ka qenë mes të rinjve. OBSH u bën thirrje qeverive rajonale që të shtojnë testimet dhe gjurmimin e kontakteve dhe që njerëzit të ndjekin masat standarde të shëndetit publik.
 
Franca regjistroi 7379 raste të reja dhe 20 viktima. Presidenti francez Emanuel Macron deklaroi se nuk përjashtohet mundësia e një izolimi të dytë, megjithatë ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta ndaluar diçka të tillë. Momentalisht në spitalet franceze ndodhen 4535 persona të shtruar, 387 prej të cilëve në terapi intensive.
 
Ndërkohë në Spanjë janë 3828 persona të tjerë të infektuar dhe 15 viktima në 24 orët e fundit. Madriti zyrtar ka njoftuar që në shtator të gjithë nxënësit nga 6 vjeç do të jenë të detyruar të mbajnë maska në ambientet e shkollave.
 
Për shkak të virusit korona, në 24 orët e fundit në Indi janë shënuar 1.021 vdekje. Ministria e Shëndetësisë e Brazilit njoftoi për  43.412 raste të reja në 24 orët e fundit, ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 119.504 me 855 vdekje të reja. Ministria e Shëndetësisë e Meksikës njoftoi se me 552 vdekjet e reja të shënuara në 24 orët e fundit, numri i viktimave nga COVID-19 në vend është rritur në 63.146. Ndërkaq, me 5.824 raste të reja, numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur në 585.738.
 
Qyteti kinez ku edhe nisi pandema globale e virusit Korona, njofton ndërkohë se do  të rihapë të gjitha shkollat dhe kopshtet këtë të martë. Rreth 2.842 institucione arsimore në të gjithë qytetin kanë vendosur të hapin dyert për thuajse 1.4 milionë studentë, njofton qeveria lokale. Në Vuhan numri i vdekjeve ka arritur në 3.869 persona, më shumë se 80% të shifrës totale të viktimave në Kinë. Vuhan i është rikthyer normalitetit që nga muaji prill dhe nuk ka raportuar ndonjë rast të ri me koronavirus që prej datës 18 maj.