Maqedoni
Kuvendi në seancë për Qeverinë, Zaev: Kam ekip të motivuar, ndryshimi po vjen
29.08.2020 16:15
Mandatari Zoran Zaev, para deputetëve nisi ekpozenë e programit qeverisës...

Mandatari Zoran Zaev, para deputetëve nisi ekpozenë e programit qeverisës për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar. Në paraqitjen e tij, Zaev paralajmëroi se fokusi i Qeverisë të cilën do ta drejtojë, do të jetë tek përballja me virusin korona dhe ekonomia. Paralajmëroi 1 miliardë euro investime të huaja, vende të reja pune, rrugë të reja shtetërore, ndërtimin e korridorit 8, investime në mbrojtjen e ambientit jetësor. Në kabinetin e ri qeveritar bëjnë pjesë persona të motivuar të cilët do të punojnë në realizimin e qëllimeve të vendosura në interes strategjik të shtetit, theksoi Zaev.
“Ekonomia e re e vendit dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike janë në faqet e para të programit të punës së kësaj qeverie për mandatin 2020-2024. Kemi plan për ekonomi inovative dhe stabile, që do të jetë e gatshme t’u përgjigjet sfidave dhe të ofroj shanc për të gjithë. Obligohemi në kohë të krizës rrogën minimale ta ruajmë në 14.500 denarë dhe t’u ndihmojmë qytetarëve dhe kompanive. Pas përfundimit të krizës Qeveria do të obligohet në 20 deri 30 për qind rritje të rrogës minimale dhe mesatare. Qëllim i ynë është 20 mijë denarë rrogë minimale deri në fund të mandatit. Varësisht nga kohëzgjatja e krizës botërore, obligohemi të realizojmë rritje prej 4 për qind.”, tha Zoran Zaev, mandatar për formimin e qeverisë.
Reformat në gjyqësor, Zaev: Epilog lëndëve të PSP-së, pastrim i gjyqësorit
Zaev paralajmëroi pastrimim të plotë të gjyqësorit, përfundim të lëndëve të PSP-së dhe drejtësi që vlen njësoj për të gjithë.
“Gjykatësit për të cilët do të dëshmohet se me vetëdije dhe me qëllim kanë vjetruar lëndë, do të shkarkohen. Lëndët e PSP-së do të duhet të marrin epilog. Vendosim sistem për kontroll të pronës për të gjithë funksionarët. Angazhimi i fuqishëm në luftën kundër korrupsionit është edhe minisitri i ri për luftë kundër korrupsionit.”, tha Zaev.
Integrimi në BE, Zaev: Në 4 vite, do të hapim 80% të kapitujve
Premtoi përkushtim në marrëveshjet për fqinjësi të mirë dhe Marrëveshjen Kornizë, dhe punë për të dëshmuar se vendi pas NATO-s, mund të antarësohet edhe në BE.
“Qeveria e re është e përkushtuar në marrëveshjet e Prespës dhe të Bullgarisë, të cilat e mundësuan këtë. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në marrëdhëniet e mira fqinjësore. Do të vazhdojmë edhe me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila është bazë e bashkëjetesës ndëretnike. Para nesh është një periudhë në të cilën si shtet do të marrim shumë më shumë se sa do të japim. Angazhohemi që në katër vitet e ardhshme të hapim 80 për qind të kapitujve të bisedimeve.”, tha Zaev.
Kur parashikimet flasin se pasojat nga KOVID-19 do të jenë edhe më të rënda në periudhën që vijon, Zaev theksoi se veçmë përgatiten pako dhe masa të reja për mbështetje të qytetarëve. Përfundimi i prezentimit të programit qeveritar nga mandatari, u prit me duatrokitjte nga maxhoranca dhe me thirrje kundështuese nga deputet të opozitës të pranishëm në sallë.
ZEKIRJA MEXHITI
