Botë

Pala greke ul kuotat, rikthehen sërisht radhët dhe pritja në Kapshticë

29.08.2020 17:01

Rikthehen sërish radhët në pikët kufitare të Kapshticës....

Rikthehen sërish radhët në pikët kufitare të Kapshticës. Dhjetëra qytetarë janë zënë në befasi kur pala greke u ka kërkuar të kthehen sërish në shtëpitë e tyre, me argumentin se e kishin plotësuar kuotën ditore prej 300 personash. Kjo ka shkaktuar jo pak zemërim tek emigrantët, të cilët thonë se janë vendosur në radhë që prej orëve të para të mëngjesit.
 
Por, ajo që i shqetëson më shumë emigrantët shqiptarë, nuk është as pritja me orë të tëra e as temperaturat e larta, por skadimi i afatit për të dorëzuar testin negativ të Covid-19 në kufi.
 
Pasi kanë qëndruar deri në orën 15.00 në radhë, qytetarët janë larguar drejt hoteleve të zonës, për t’u rikthyer sërish mëngjesin e kësaj të diele pranë sporteleve greke, me qëllim për të kaluar drejt Greqisë. Ndërkaq, të gjitha ata të cilëve u skadon afati 72 orësh për përgjigjen negative të testit të koronavirusit, janë të detyruar të kthehen sërish në Tiranë për ta ribërë një test të tillë në laboratorët privatë, ku u duhet të paguajnë rreth 100 euro për person.