Botë

Covid 19, rriten shifrat në botë, rikthen ndalesat

30.08.2020 13:44

Në Brazil, vendi i dytë më i goditur në botë pas SHBA-së..

Në Brazil, vendi i dytë më i goditur në botë pas SHBA-së, numri i të vdekurve arriti në 120.262, ndërsa rastet e konfirmuara tejkaluan shifrën 3,84 milionë, duke përfshirë 41.350 infeksione të reja. Me një popullsi prej mbi 211 milionë banorësh, Brazili shihet si epiqendra e shpërthimit të COVID-19 në rajon. Qeveria është akuzuar se nuk ka bërë sa duhet për të ndaluar përhapjen e virusit. 
 
Ministria e Shëndetësisë e Meksikës raportoi gjithsej 63.819 vdekje të lidhura me virusin, me 673 vdekjet e tjera gjatë ditës së kaluar. Numri i përgjithshëm i rasteve në vend u rrit në 591.712, pasi 5.974 njerëz të tjerë rezultuan pozitivë. 
 
Në kontinentin e vjetër ndërkohë, ka vende ku sëmundja po përhapet me ritme shqetësuese. Në Rusi në 24 orët e fundit u konfirmuan 4.980 raste të reja dhe 68 të vdekur. Franca regjistroi gjatë gushtit 54 mijë raste, një shifër e pesëfishuar në krahasim me një muaj më parë. Kroacia po ashtu paraqitet problematike me 80 raste në çdo 100 mijë banorë, Rumania 84 në 100 mijë dhe me shqetësim po shihet dhe Spanja, ku kjo shifër shkon në 205. Hungaria dhe Ukraina njoftuan se nga fillimi i shtatorit do t’ia ndalojnë hyrjen të huajve. Një hap të cilin që prej rihapjes në fillim të verës, ishin përpjekur ta shmangnin. Nga e hëna, edhe Greqia do të ndalojë fluturimet me Katalonjën, ndërsa Berlini i ka ftuar shtetasit gjermanë të mos udhëtojnë më drejt zonave me rrezikshmëri të lartë, duke përfshirë këtu një pjesë të madhe të Spanjës, dhe disa rajone në Francë, përfshirë dhe vetë Parisin.
 
REJHANE BUSHI METAJ