Maqedoni

Kuvendi zgjodhi qeverinë e re, Zaev: Do të punojmë në intees të qytetarëve e vendit

31.08.2020 00:03

Me 62 vota për, 51 kundër dhe asnjë të përmbajtur, pas një debati dyditor...

Me 62 vota për, 51 kundër dhe asnjë të përmbajtur, pas një debati dyditor, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi qeverinë e re. Kryeministri Zaev premtoi qeveri të re, efikase dhe të përgjegjshme, e gatshme të punojë me përkushtim, konform interesit të qytetarëve dhe shtetit. Tejkalimi i pasojave të krizës së koronës dhe rikthimi i niveleve të mëparshme të rritjes ekonomike do të jetë në fokusin e punës së qeverisë. Ai ka paralajmëruar se procesi i eurointegrimit vazhdon edhe më fuqishëm dhe Qeveria dhe institucionet, siç tha, “janë të gatshëm për fillimin e negociatave me BE-në dhe hapjen e kapitujve të parë”.

“Që në muajt e parë të mandatit, qeveria e re do të sigurojë mekanizma për reforma strukturore në administratën publike, por edhe në fushën e sundimit të ligjit përmes pastrimit të gjyqësorit dhe ndërtimit të shtetit të fortë të pavarur dhe juridik. Vjen koha e rendit, drejtësisë dhe disiplinës. Ligjet janë miratuar, tani është koha për zbatimin e tyre të shpejtë. Kush nuk dëshiron të respektojë ligjin, do të përballet me ligjin. Ndërsa, ne si qeveri do të jemi partner i të gjithë aktorëve në legjislaturë, ekzekutiv dhe pushtetin gjyqësor, si dhe shoqërinë civile, mediat dhe grupet e interesit që duan të kontribuojnë në ndërtimin e sistemit të drejtësisë që do t’u shërbejë qytetarëve.Kemi shansin që nuk duhet të lejojmë ta humbasim. Prandaj jepni kontributin tuaj në transformimin e vendit tonë, shoqërisë tonë të përbashkët. Tani, kur të gjitha çështjet e mëdha të hapura në planin e jashtëm janë prapa nesh, është e udhës me të gjitha kapacitetet të angazhohemi në punët e shtëpisë. Të sigurojmë kushte edhe më të mira për një jetë edhe më të mirë, për paga edhe më të larta, për më shumë drejtësi dhe kujdes për të gjithë qytetarët tanë", ka thënë Zaev.
 
Artan Grubi i cili u zgjodh zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për sistem politik, premtoi se do të punojnë në interes të qytetarëve, ndërsa qeveria do të jetë e përgjegjshme dhe euroatlantike.
 
“Prej sonte do të jemi një për të mirën e qytetarëve. Dua të dërgoj mesazh deri te të gjithë qytetarët se ne nuk do t’ju zhgënjejmë”, tha Grubi.
 
Në pyetjen e gazetarëve nëse do të kërkojë përgjegjësi shtesë për kuadrot e BDI-së, ku para zgjedhjeve i quajti të korruptuar, Zaev me përgjigje se “në zgjedhje ne e themi atë që e shohim si dobësi, ndërsa zgjedhjet janë mundësi që të përmirësohemi dhe korrigjohemi”.
 
“Qytetarët janë ata që vendosin dhe treguan se kush fitoi në zgjedhje. Fituan LSDM dhe koalicioni ‘Mundemi’ dhe BDI nga blloku politik shqiptar. Ne nuk bisedojmë vetëm për ato se cilat përgjegjësi do t’i ndajmë, kemi folur edhe për cilësinë e kuadrove, kemi biseduar jo vetëm për dobësitë e BDI-së, por edhe të LSDM-së dhe besoj se ato t’i mënjanojmë. Siç tha zëvendëskryeministri i parë, Grubi, kemi ndërtuar besim të madh dhe këtë e them sepse kur do t’i hapni bisedimet me sinqeritet, kemi biseduar hapur sepse duam të kemi sukses. Kemi arritur suksese të mëdha bashkë të cilat mund të jenë bazë e mirë që edhe më me zell dhe nder t’i shërbejmë popullit tonë", u përgjigj Zaev.