Rezultatet paraprake, garë e ngushtë për fituesin në Mal të Zi
Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve....

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve. Dallimi midis dy forcave që kanë marrë vendet e para në zgjedhje është aq i vogël, saqë një votë në përbërjen e ardhshme parlamentare mund të sjellë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.
Bazuar në 98.55 për qind të materialit të përpunuar të materialit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi njoftoi rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar "Për ardhmërinë e Malit të Zi" 32,54 për qind të votave. Koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12.55 për qind të votave, “E bardha në të zezë”, 5.57, Socialdemokratët 4.09, Partia e Boshnjakëve 3.81, Partia Social-Demokrate 3.14, Lista Shqiptare 1.61 dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” 1.16. Nisma Qytetare Kroate dhe Partia Kroate e Reformës nuk e kanë kaluar pragun. Shqiptarët do të kenë dy përfaqësues në kuvendin e ri. Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006. Njëkohësisht janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.Zgjedhjet janë vëzhguar nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 kanë qenë të huaj.
