Maqedoni
Rasti "Monstra", dëshmitari: Vetura “Opel omega” ishte e pastër
31.08.2020 15:28
Vetura “Opel Omega” për të cilën prokuroria thekson se është përdorur për arratisjen e të akuzuarve...

Vetura “Opel Omega” për të cilën prokuroria thekson se është përdorur për arratisjen e të akuzuarve pas vrasjes së pesëfishtë tek liqeni i Smilkovcës, është gjetur e pastër. Kështu konstatoi ish zyrtari i MPB-së, i cili më 13 prill të vitit 2012 ka qenë në vendin ku është gjetur vetura në Vrazhivir dhe ka pasur për detyrë të foto-dokumentojë veturën. Tha se ka punuar në shumë raste penale, por që në këtë rast vetura ka qenë e pastër dhe e rregulluar.
"Veturën e fotografova brenda dhe jashtë, më pastaj u transportua nga shërbimi për tërheqjen e veturave deri në MPB. Atje ishim me lajmërim të Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup. Përpunimin teknik të veturës nuk e kam bërë unë, por gjatë punës sime u kujdesa të mos humbin gjurmët.",- tha ai.
Raufi: Vetura u “përpunua” para se të fotografohej
Avokati mbrojtës, Naser Raufi, thekson se dëshmia në fjalë tregon se vetura “Opel Omega” është përpunuar para se të bëhet foto-dokumentimi edhe pse më pas dëshmitari e refuzoi të ketë përmendur fjalën “përpunim”.
“Me këtë dëshmitar u konstatua se vetura para se të arrijë te të angazhuarit për forenzikë dhe dëshmitari si fotograf që ta fotografojë, kjo veturë, siç tha e citoj, "ka qenë e përpunuar". D.m.th. këta kur kanë arritur nuk kanë qenë të parët, por para asaj "dikush" e ka përpunuar këtë veturë, që nuk është e lejuar, para se të vijë personi që sot dëshmoi. E refuzoi, dhe ne si palë mbrojtëse konstatuam që ka diçka që nuk do të tregojë.”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Ivanova: Mbrojtja e të akuzuarve, provokoi dëshmitarin
Për mbrojtjen e palës së dëmtuar, dëshmia konstatoi atë që veç më ishte e shkruan në shënimet zyrtare. Thanë se mbrojtja e të akuzuarve provokoi dëshmitarin.
“Kishim pak provokime nga ana e mbrojtjes, por dëshmitari tregoi të gjitha se cili ka qenë angazhimi i tij. Rrethana të reja nga dëshmia e tij nuk dolën, përveç asaj që tani më e kemi në lëndën gjyqësore.”,- u shpreh avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova.
Raufi këmbëngul se rasti “Monstra” është i montuar. Sipas tij, këtë e dëshmon edhe fakti që kryetari i atëhershëm i Gjykatës Penale ka qenë Vladimir Pançevski, i cili u dënua për keqpërdorim të sistemit Akmis. Ai ia ka caktuar lëndën gjykatësit i cili solli vendimin e parë me burg të përjetshëm.
Seanca e radhës është caktuar më 3 shtator.
FLORIJE BELULI KAMBERI
