Maqedoni

Nis me punë Qeveria e re, Zaev: Mandat i papërsëritshëm

31.08.2020 16:22

Kryeministri i ri, Zoran Zaev, edhe zyrtarisht mori funksionin nga kryeministri i deritanishëm teknik, Oliver Spasovski...

Çmoi punën e Qeverisë kalimtare gjatë nëntë muajve të fundit, posaçërisht ballafaqimin me krizën shëndetësore-ekonomike të shkaktuar nga virusi COVID-19, si dhe organizimin dhe u zbatimin e suksesshëm të zgjedhje parlamentare. Pas pranimit tradicional te kreu i republikës, nënvizoi se qeveria e re do të vazhdojë proceset reformuese. 
 
“Katër vitet para nesh janë të papërsëritshme. Ne dimë mirë këtë dhe nuk do të lëshojmë shansin dhe besimin që na është dhënë. Në vitet që vijnë, vazhdojmë me vënien e standardeve evropiane në vend, për transformimin e vendit tonë për më mirë, në të gjitha sferat. Do ta përmbyllim me një sukses tjetër tregimin tonë euro-atlantik me anëtarësim në BE. Në katër vitet e ardhshme do të hapim 80% të kapitujve negociues, ndërsa qëllimi është që për 6 vite të përmbyllim të gjithë kapitujt.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Grubi: Qeveri unike që do të vendos me konsensus
 
Ndërkaq, ministrat shqiptarë në kabinetin e kryeministrit, Zoran Zaev, filluan detyrën me një takim koordinues, të realizuar para pranimit tradicional te presidenti i republikës. Pavarësisht takimit ndaras, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, tha se janë një me ministrat e LSDM-së dhe se vendimmarrja për zbatimin e programit qeveritar do të jetë me konsensus.
 
“Presim që bashkërisht, bashkë me kolegët tanë nga LSDM, si dhe ministrat e tjerë të zgjedhur, ta zbatojmë programin të cilin e miratoi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në përpikëri dhe në përputhshmëri me të gjitha pritjet e qytetarëve. Në marrëveshjen e koalicionit, por edhe në programin qeveritar, parimi i konsensualitetit dhe i vendimmarrjes konsensuale, i demokracisë konsensuale, është një nga shtyllat e demokracisë konsensuale të atij programi.”,- u shpreh zëvendëskryeministri i parë shqiptar, Artan Grubi.
 
Në kuadër të reformave të paralajmëruara në administratë, Grubi paralajmëroi sistematizimin e rreth 1400 të punësuarve, sipas MO-së, brenda 6 muajve të parë të qeverisjes.      
 
SHPËTIM NUREDINI