Mickoski: Nuk tërhiqem, vjeshtë e nxehtë për qeverinë Zaev
Ai dërgoi kritika të ashpra për koalicionin qeverisës....

“Qeveri e re me premtime të vjetra dhe kuadro të kompromentuar”, kështu e komentoi Qeverinë e re, lideri opozitar, Hristian Mickoski.
Ai dërgoi kritika të ashpra për koalicionin qeverisës, pasi që, siç tha, nuk ofron asnjë zgjidhje për kapërcimin e krizës ekonomike dhe shëndetësore.
Mickoski njoftoi se përveç betejës në shtëpinë ligjvënëse, beteja kundër qeverisë do të vazhdojë në rrugë, duke paralajmëruar një vjeshtë të nxehtë me protesta civile.
“Një nga betejat kuptohet që do të jetë në Kuvend, kuptohet që VMRO-DPMNE me partitë e tjera opozitare do të veprojë kundër anti reformave dhe politikave të gabuara të kësaj qeverie e udhëhequr nga LSDM dhe disa parti të koalicionit, por edhe të BDI-së dhe PDSH-së. Do të fillojmë debat rreth strategjisë rreth asaj se çfarë vjeshte na pret, por besoni se do të jetë një vjeshtë e nxehtë për LSDM-në dhe Zoran Zaevin.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.
Mickoski mbetet i mendimit se nuk do të japë dorëheqjen, megjithëse nuk arriti të formonte shumicën. Iniciatorëve që kërkojnë kongres të jashtëzakonshëm për largimin e tij, Mickoski u tha se kërkesë zyrtare në parti nuk ka arritur por edhe nëse arrin ekziston një procedurë e veçantë e parashikuar nga statuti i partisë për thirrjen e një kongresi. (Sanije Duraku, TVM2)
