Maqedoni

Gostivar, 1 viktimë, 6 pacientë lëshuan spitalin

31.08.2020 18:09

Brenda 24 orëve të fundit sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë është regjistruar vetëm një rast me Covid-19...

Brenda 24 orëve të fundit sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë është regjistruar vetëm një rast me Covid-19 dhe një paciente 51 vjeçare nga Gostivari e  ka humbur betejën me virusin.
 
Mantel-bardhët thonë se shifrat e fundit flasin për rënie të të infektuarve. Gjashtë pacientë, prej të cilëve pesë nga rajoni i Gostivarit dhe një nga Kërçova, të cilët janë trajtuar në Repartin Infektiv pranë Spitalit të Gostivarit, e kanë fituar betejën me virusin korona.
 
Te ata edhe rezultati i testit të dytë ka dalë negativ, për çka sot janë lëshuar në shtëpi. Aktualisht nga 24 shtretër, në Repartin Infektiv në Gostivar të zënë janë 11. Pacientët e shtruar shumica janë nga Gostivari dhe disa nga Komuna e Vrapçishtit. 
 
“Momentalisht në Repartin Infektiv kemi 11 pacientë. Sot kemi lëshuar në shtëpi gjashtë pacientë me nga dy teste negative për Covid-19. Nga 11 pacientët e shtruar, vetëm një paciente është në gjendje më të rëndë me saturim të ulët e cila është edhe diabetike. Të tjerët, përgjithësisht janë në gjendje mesatare të rëndë, por stabile. Mendoj se mjekimi i tyre i mëtejmë do të shkojë mirë dhe pa probleme. Aktualisht kemi edhe një pacientë të pranuar në Ambulancën tonë i cili është testuar, por akoma nuk i kemi rezultatet. Megjithatë, gjendja e tij paraqitet serioze me sturim 36 të mushkërive dhe planifikojmë ta dërgojmë për në Shkup.”,- deklaroi përgjegjësi i Repartit Infektiv, Ratko Naumoski.
 
Mosha e të hospitalizuarve në Gostivar është 50 vjeç e më sipër. Një pjesë e tyre kanë edhe sëmundje shoqëruese, më shpesh me diabet dhe me bronkit.