Maqedoni
Unioni i shkollave të mesme në protestë, nxënësit me 5 kërkesa, janë kundër mësimit online
31.08.2020 19:08
Me moton “Duam të mësojmë”, nxënësit e shkollave të mesme protestuan për ti dhënë zë kërkesave të tyre...

Me moton “Duam të mësojmë”, nxënësit e shkollave të mesme protestuan për ti dhënë zë kërkesave të tyre që mësimi të zhvillohet në mënyrë të kombinuar, e jo online. Ata marshuan nga ministria e arsimit deri në qeveri ku thanë se nuk janë të pajtimit me metodat e mësimit të propozuara nga qeveria, teksa shprehën se janë decid në pesë kërkesat e tyre.
“Nxënësit të njihen si partner të barabartë në të gjitha proceset e vendimmarrjes, jo vetëm brenda shkollës, por edhe në krijimin e politikave, në shoqërinë civile. Mësimi I kombinuar si mënyrë më efikase e të mësuarit gjatë kohës së pandemisë, bazuar në gjendjen epidemiologjike të qyteteve. Qasja e decentralizuar në vend të një zgjidhjeje për të gjitha grupet, secila komunë dhe secila shkollë të vendos për mënyrën më të mirë dhe më të sigurt për ndjekjen e mësimit. Në shkollat profesionale praktika të bëhet me prezencë fizike, duke respektuar masat mbrojtëse. Të respektohen masat e higjienës shëndetësore duke siguruar mjete adekuate, duke përfshirë sapunë, dezinfektues të duarve sipas standardeve të pranuara në të gjithë botën.”,- tha Blendi Hodai, kryetar i Unionit të Nxnësve të Shkolave të Mesme.
Mësimi online sipas nxënësve nuk ka qenë efikas, andaj shpresojnë që sa më parë të kthehen në bankat shkollore.
“Mësimi online nuk ka qenë aspak efikas në mënyrën e mësimit, sepse besoj që diçka që duhet të mësohet, nuk mësohet nëpërmjet internetit, mirëpo ana fizike është ajo ana efektive më e mirë.”,- tha një nxënës.
“Ne të gjithë nxënësit që kishim mësim online, nuk kemi mësuar pothuajse asgjë, ndërsa ishin shumë të ngarkuar.”,- theksoi një nxënës.
Paraprakisht unioni i nxënësve të shkollave të mesme pati takim me ministren e re të arsimit Milla Carovska. Kryetari i unionit tha se ministrja Carovska ka pranuar disa kërkesa të tyre, por jo të gjitha. Ai paralajmëroi se nëse qeveria nuk pranon kërkesat, do të vijojnë protesta më të mëdha dhe do të bojkotojnë procesin mësimor
ERSAN PAJAZITI
