Maqedoni
Zgjedhjet në Mal të Zi, partitë opozitare dakordojnë parimet e qeverisjes
01.09.2020 10:26
Udhëheqësit e koalicioneve opozitare në Mal të Zi kanë thënë se kanë arritur pajtueshmëri...

Udhëheqësit e koalicioneve opozitare në Mal të Zi kanë thënë se kanë arritur pajtueshmëri për parimet mbi të cilat do të punojë qeveria e ardhshme.Sipas opozitës, parimi i parë për të cilin është rënë dakord është se “qeveria e re demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare”. Ajo do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Qeveria e re do të jetë e përbërë prej ekspertëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, kombëtare e të tjera.
Sipas rezultateve preliminare koalicionet opozitare kanë fituar 41 vota nga 81 sa janë në kuvendin e këtij shteti. Partia Demokratike e Socialistëve, e drejtuar nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë.
Në Podgoricë ndërkohë mbrëmë pati përleshje midis mbështetësve të qeverisë dhe opozitës, të cilët festonin fitoren në zgjedhje. Policia reagoi, për të penguar konfrontimet e mëtejshme. Në vendin e incidenteve, në qendër të qytetit, u panë edhe auto-ambulanca. Pas incidenteve, udhëheqësi i koalicionit opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq, u bëri thirrje mbështetësve që të festojnë në shtëpi. PDS akuzoi opozitën se ka provokuar qytetarët në këto tubime në mënyrë aggressive dhe me parulla nacionaliste . Mbështetësit e opozitës organizuan tubime edhe në Tivar, Bijello Pole, Berane dhe Danillovgrad. DPS tha se do të informojë Misionin Monitorues të OSBE-së dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për incidentet.
ZEKIRJA MEXHITI
