Maqedoni
Osmani dhe Dimitrov këmbyen funksionet, fokus eurointegrimet e marrëdhëniet me fqinjët
01.09.2020 11:12
Resorët i ndryshuan, por qëllimi mbetet i njëjtë, deklaruan ish-zëvendëskryeministri për Çështje evropiane...

Resorët i ndryshuan, por qëllimi mbetet i njëjtë, deklaruan ish-zëvendëskryeministri për Çështje evropiane, Bujar Osmani, dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në këmbimin e funksioneve. Qëllimet strategjike, integrimi evropian, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe roli participues në NATO mbeten në fokus, nënvizoi Osmani.
“Politika e jashtme dhe qëllimet strategjike mbeten të njëjta. Dua të falënderoj ata që na dhanë besimin për të vazhduar në këtë orientimin tonë strategjik, fillimin e bisedimeve me BE-në, rolin tonë konstruktiv dhe participues në NATO dhe natyrisht raportet e mira ndërfqinjësore me akcent implementimin e marrëveshjeve strategjike të cilat kanë sfidat dhe kanë kërkesat e veta për të cilat do të angazhohemi në periudhën që vijon.”,- tha ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Nuk presin që Bullgaria do të bllokojë negociatat me BE me ultimatume mbi gjuhën dhe historinë maqedonase.
“Nuk mund që Bullgaria të përfitojë nga komplikimi i ardhmërisë evropiane të RMV-së, jam i bindur për këtë, sepse kishin një rol të madh që me kryesimin e BE-së, me Samitin në Sofje, në hapjen e Evropës dhe kthimin e zgjerimit, lartë në agjendën e BE-së. Që të jemi të sinqertë nuk do të jetë lehtë. Problemi paraqet një sfidë të madhe, por treguam se nuk kemi frikë nga sfidat. Do të përballemi drejtpërdrejt duke e ditur se cili është investimi dhe se çfarë duhet të mbrojmë lidhur me interesin nacional.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Nikolla Dimitrov.
Ministri i ri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, njoftoi se procesi i plotësimit të vendeve të lira të ambasadorëve do të përshpejtohet, veçanërisht në Bruksel dhe vendet anëtare të BE-së. Edhe Dimitrov edhe Osmani, premtuan punë me ritme të përshpejtuara për procesin eurointegrues dhe drejtim të suksesshëm të bisedimeve për anëtarësim në Union.
NAIM RAMADANI
