Maqedoni
Ndërtimi pa leje te “Mavrovasja”, padi penale për ndërtuesin, rrënimi I saj, vendimi I parë I qeverisë së re
01.09.2020 13:57
Është gjetur më në fund se kush po e ndërton objektin ilegal tek qendra tregëtare “Mavrovasja” në Shkup....

Njësia për krim kompjuterik dhe ekonomik e SPB- Shkup, deri në zyrën e Prokurorit Publik, ka dorëzuar padi penale kundër 32 vjeçarit M.A për shkak të dyshimit se personi i denoncuar, është kryerësi i veprës penale “ndërtim pa leje”.
Deri tani, autoritetet komunale nuk e gjetën dot se kush ishte ndërtuesi, e kjo pamundësoi për një kohë të gjatë që të njejtit t’i dorëzohej urdhëresa për të shembur vetë objektin. Më pas dështuan edhe 3 tenderët e komunës së Çairit për të zgjedhur firmën që do të merrte përsipër shkatërrimin e objektit ilegal. Por rrënimi i saj ishte vendimi i parë i ekzekutivit të ri.
Kryeministri Zaev thotë se nuk mund të lejohet në qendër të kryeqendrës, të vazhdojnë veprimtari joligjore.
“Komuna e Çairit ka aktvendim, por nuk ka kompani që të realizojë vendimin, përkatësisht të zbatojë punimet për largimin e objektit që nuk është në përputhje me dokumentacion ligjor. Sapo ta sjellim vendimin, do ta publikojmë dhe besoj se shumë shpejt do të fillojnë aktivitetet në terren që të përballemi me këtë vepër joligjore që ndodh në mënyrë të ashpër para syve të të gjithë opinionit”,- tha kryeministri Zaev.
Meqë komuna e Cairit nuk arriti ta zgjidhë problemin, Qeveria angazhoi ndërmarrjen “Rrugët e Maqedonisë”, të dakordohet me komunën dhe të dorëzojnë planin për rrënimin e objektit. Ndërmarja nuk do të paguhet nga komuna për këtë shërbim që do ta kryejë me makineritë e saj.
