Maqedoni
Fillimi i vitit shkollor, Carovska: Prani fizike në shkollat ku ka kushte
01.09.2020 14:42
Qeveria ofron model të kombinuar për fillimin e vitit shkollor....

Qeveria ofron model të kombinuar për fillimin e vitit shkollor. Gjithkund ku janë përmbushur kushtet, mësimi do të fillojë me prani fizike, theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska. Në objektet ku nuk ka mundësi për respektimin e protokolleve, mësimi do të fillojë online. Për këtë, në mënyrë të përshpejtuar punohet në përgatitjen e platformës së vetme kombëtare.
“Komunave dhe shkollave ju jepet mundësia që të organizojnë mësim online në ato shkolla ku nuk plotësohen kushtet për prezencë fizike sipas protokolleve. Punohet intensivisht për platformën online që do ta prezantojmë së shpejti. Plani parashikon që viti shkollor të fillojë edhe me prezencë fizike në disa shkolla fillore apo të mesme, pa marrë parasysh se në cilën klasë janë nxënësit, po kuptohet, atje ku hapësirat e shkollës e lejojnë një gjë të tillë. Qeveria ka formuar komision për të parë kërkesat e shkollave që kërkojnë që mësimi të zhvillohet me prezencë fizik, por ka gjasa që kërkesat e tyre të refuzohen.”,- deklaroi ministrja e Arsimit, Milla Carovska.
Fëmijët duhen sqaruar përmes lojës “superheronjtë mbajnë maska, mbaj edhe ti”
Atje ku mësimi do të mbahet me prani fizike, nxënësit do të jenë të detyruar të mbajnë maska. Kjo do të jetë një sfidë e vërtetë, pasi duhet t’i mbajnë për një kohë të gjatë. Por si t’i mësojmë fëmijët të mos e heqin maskën? Natyrisht përmes lojës, sidomos më të vegjëlve. Atyre u duhet shpjeguar se si i mbron maska, se edhe superheronjtë mbajnë maska dhe se ato mund të jenë të bukura, sidomos kur e lini fëmijën që vetë ta zgjedhë modelin dhe ngjyrat. U duhet shpjeguar edhe se maska nuk duhet të ndërrohet me ato të shokëve. Javët e para të shkollës do të jenë të vështira, ndaj duhet krijuar çdo javë nga një temë në mënyrë që të mbahet fokusi i fëmijëve, pa menduar për maskën që kanë në fytyrë.
REJHANE BUSHI METAJ
