Botë

Takimi në Uashington, Kosova me shpresë te SHBA-të, Serbia pret surpriza

01.09.2020 16:13

Delegacioni i Kosovës është nisur tashmë drejt Uashingtonit...

Delegacioni i Kosovës është nisur tashmë drejt Uashingtonit, ku me ftesë të këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, dhe të ngarkuarit special, Richard Grenell, më 4 shtator do të mbahet takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
 
Sipas kryeministrit Hoti, njohja reciproke Kosovë-Serbi është qëllimi i vetëm i Kosovës në kuadër të dialogut”. Ai ka ftuar forcat politike të jenë të unifikuar në këtë proces. Por, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosja nuk kanë pranuar t’i bashkohen delegacionit. Kreu i Vetëvendosjes është kundër angazhimit në këtë proces të ambasadorit Grenell, i cili vazhdimisht ka kërkuar që Kosova ta heqë reciprocitetin me Serbinë dhe të rifillojë dialogu. Edhe pse në këtë takim do të preket vetëm aspekti ekonomik, ndërsa çështjet politike janë lënë të diskutohen në Bruksel, pala kosovare i ka shpresat më të mëdha te ndërmjetësimi amerikan. 
 
 
Delegacioni serb e ka bërë të qartë se do të bëjë gjithçka për të shmangur tërheqjen e Serbisë në lojërat gjeopolitike të fuqive të mëdha, por thotë se në takimin në Uashington janë të mundshme edhe surpriza. Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar të mbahej fillimisht më 27 qershor, por u anulua pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që të dy të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. 
 
GYLTETE SINANI