Covid-19, një viktimë, 115 raste të reja e 368 të shëruar, Filipçe: Situata në spitale stabile, rastet po ulen

01.09.2020 16:18

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1665 teste....

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1665 teste dhe janë regjistruar 115 të infektuar me Kovid-19. Në Shkup-34, Prilep-15, Shtip-14, Strugë-13, Kumanovë-10, Manastir dhe Ohër nga 4, Tetovë dhe Vinicë nga 3, Gostivar, Berovë, Probishtip  dhe Shën  Nikollë  nga 2, ndërsa në Kriva Pallankë, Radovish, Krushevë, Koçan, Makedonski Brod, Pehçevë dhe Dellçevë është regjistruar nga një i infektuar.

Është regjistruar ndërkohë vetëm një viktimë, bëhet fjalë për një 76 vjeçar nga Gostivari. I lartë është numri i të shëruarve, 368 në 24 orët e fundit. Ministri Filipçe e cilëson situatën në spitale si stabile.

“Në të njëjtën periudhë në 23 qytete, pra në shtatë më shumë se javën e kaluar, numri i të diagnostikuarve është nën 20. Përqindja e testimeve pozitive nga numri i përgjithshëm i testeve është 6.7 për qind, e cila është një rënie prej 0.8 për qind në krahasim me javën e kaluar dhe ky trend i uljes së përqindjes së rasteve pozitive ende po mbahet.”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Javën e kaluar janë hospitalizuar 71 pacientë, që është një rënie prej 40.3% krahasuar me javën e kaluar. Shkupi ka një zvogëlim të ndjeshëm të numrit të pacientëve të shtruar në spital, rreth 30, gjë që lejon kthimin gradual në funksionimin normal të spitalit, përmes sistemit “Termini im”. (Sedat Selimi, TVM2)