Maqedoni

Përdorimi i shqipes, Osmani zotohet për dygjuhësi në MPJ, Dimitrov arsyetohet

01.09.2020 16:45

Në Ministrinë e Jashtme deri tani aspak nuk është respektuar përdorimi i gjuhës shqipe...

Ministri i ri, Osmani, u zotua se dygjuhësia do të respektohet në tërësi, Dimitrov u arsyetua se nuk ka pasur resurse të mjaftueshme, por edhe ai u zotua se do ta respektojë praktikën e deritanishme dygjuhësore në SÇE.
 
“Implementimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ka qenë sfidues në fillim për institucionet, sepse duke nisur nga zero duhej ndërtuar infrastruktura e nevojshme logjistike dhe adaptimi i administratës për të funksionuar në dy gjuhë. Po lë një trashëgimi të mirë që ka qenë pikë referente jo vetëm për S¬ÇE, por për të gjithë administratën, se si duhet të funksionohet në dy gjuhë. SÇE mund të merret si model e ia rekomandoj edhe ministrave të rinj, qofshin shqiptarë apo të tjerëve, që ta marrin sekretariatin si model për mënyrën e funksionimit të Ligjit të Gjuhëve. Do të tentoj ta aplikoj këtë edhe në MPJ, natyrisht në korniza të ligjit.”,- tha ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani.
 
“Kam respekt të madh për pasurinë e multietnicitetit në vend, përfshirë dhe shqiptarët dhe gjuhën shqipe. Mangësia erdhi për shkak të resurseve në ministri, kemi pasur shumë herë diskutime të brendshme dhe iniciativa që të gjejmë resurse për përkthime edhe në konferencat për shtyp dhe për komunikatat tona. Në SÇE kjo është arritur kështu që absolutisht do të vazhdojmë me praktikën e njëjtë, sepse ideja e komunikimit është që të arrijë në sa më shumë njerëz e në sa më shumë gjuhë.”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Nikolla Dimitrov.