Maqedoni
Qeveria mban seancën konstituive, Zaev: Përkufizim të saktë për zëvendëskryeministrin e parë
01.09.2020 17:09
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti mbledhjen e parë konstituive...

Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev, e hapi seancën e parë i rrethuar nga dy zëvendëskryeministrat, Artan Grubi, dhe Ljupço Nikollovski, por vetëm Grubi, si zëvendëskryeministër i parë, do të zëvendësojë Zaevin, në mungesë. Ndryshimet në Rregulloren e punës së Qeverisë, për të rregulluar statusin dhe kompetencat e zëvendëskryeministrit të parë, Zaev i paralajmëroi para seancës.
“Duhet të bëjmë përkufizim të saktë se në mungesë të kryeministrit, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë e zëvendëson në fushën e veprimit sipas kompetencave, por çdo zëvendëskryeministër i qeverisë është përgjegjës në një fushë të caktuar, përkatësisht tre komisionet që janë shtyllat e qeverisë do t’i drejtojnë tre nënkryetarët e Qeverisë. Komisionin për sistem politik do ta drejtojë zëvendëskryeministri i parë, Komisionin për resurse njerëzore dhe zhvillim të qëndrueshëm do ta drejtojë Ljupço Nikollovski dhe Komisionin për Sistem Ekonomik do ta drejtojë zëvendëskryeministri, Fatmir Bytiqi.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Pozita e zëvendëskryeministrit të parë është pjesë e marrëveshjes politike për koalicion qeverisës mes LSDM-së dhe BDI-së dhe udhërrëfyes për unitet dhe vendimmarrje me konsensus, të cilën e paralajmëroi një ditë më parë vetë zëvendëskryeministri Grubi.
Në mbledhjen e parë konstituive, veç përcaktimit të zëvendësve të kryetarit të Qeverisë, shqyrtohen edhe propozimet për emërimin e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve themelore të Qeverisë, si dhe propozimet për emërimin e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve të posaçme.
Gjatë këtyre ditëve pritet të ndodh ekipimi i plotë kabinetit qeveritar, ndërsa sekretar i përgjithshëm, pritet të jetë ish ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski.
Në ndërkohë bëhen konsultime për ekipimin e ministrive me sekretarë shtetërorë, pasi lista e zëvendësministrave, siç njoftoi vet Zaev, thuajse është gati.
SHPËTIM NUREDINI
